Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Ministri i Rendit Luan Rama ka informuar deputetët anëtarë të komisionit kuvendor për Rendin dhe SHIK-un, në lidhje me motivet e vrasjeve të fundit, ndër to dhe ajo e biznesmenit Florian Vila. Sipas Ramës nuk ka pasur vrasje për shkaqe të konkurrencës.
Luan Rama:- “Unë e kuptojë dhe nuk e keqinterpretojë faktin, që pas disa ngjarjeve të ndodhura, pati një sensibilitet më shumë emocional sesa racional, në atë që u quajt goditje e krimit mbi biznesin. Ky sensibilitet nuk erdhi nga komuniteti i biznesit dhe e ritheksojë edhe njëherë para komisionit parlamentar dhe në prani të përfaqësitë të biznesit, që ngjarje të ndodhura, nuk kanë lidhje me biznesin, nuk kanë lidhje me konkurrencën, e ndershme të biznesmenëve të ndershëm në përballimin e sfidave të ekonomisë së tregut. Nuk dua t’i referohem më rastit të Mirit të Xhikes, por nuk besoj që ka ndonjë naiv, që ta interpretoi këtë rast, si një veprim për shkak të konkurrencës. Nga hetimet paraprake pas ndëshkimit, goditjes së grupit kriminal, që rrëmbeu nipin e Sulo Shehut, nuk rezulton që ky rrëmbim të jetë bërë për shkak të konkurrencës, në tregun e çimentos, apo në fusha të tjera të veprimtarisë që kryen zoti Shehu. Nuk ka një definicion përfundimtar të organit të akuzës, apo të gjyqësorit eventualisht, që rasti Vila është për shkak të konkurrencës, në biznes”.
Deputeti Memia, nënkryetar i këtij komisioni ka kërkuar nga ministri i rendit, masa për mbrojtjen e përfaqësuesve të biznesit shqiptar, por sipas Ramës, policia e shtetit është treguar gjithmonë e gatshme, për t’iu përgjigjur kërkesave të sipërmarrësve shqiptarë, duke shtuar se ka segmente të politikës të lidhura me krimin./tvklan.al