Ky është momenti pak pasi 52-vjeçari, Eduart Reçi që shihni në foto u qëllua me plumb në kokë mbrëmjen e së mërkurën në rrugën “Faik Konica” në Tiranë.

Foto që shihni, me 52-vjeçarin e shtrirë në tokë ende në jetë është fiksuar nga kamerat e sigurisë së një biznesi fare pranë vendngjarjes. Fill pas këtij momenti, ai u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se viktima sapo kishte dalë nga banesa e tij në momentin që është qëlluar me një plumb në kokë. Sipas ekspertizës paraprake, goditja ka qenë nga lart, ndaj hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që autori të ketë qenë në një prej objekteve fare pranë vendit të ngjarjes.

Për të rënë në gjurmët e autorit, policia ka sekuestruar dhjetra kamera sigurie në zonë por deri tani nuk ka mundur të zbulojë atë. Deri në këtë fazë të hetimit, policia po verifikon disa pista mes të cilave dhe të ndonjë konflikti të mundshëm.

52 vjeçari me origjinë nga Dibra nuk rezulton person me precedent penal. Vite më pare, ai ka qenë dhe pjesë e Shërbimit Informativ Shtetëror, ndërsa së fundmi ishte angazhuar në një biznes të tij, nje lokal pranë vendit ku u ekzekutua.

Tv Klan