Të shtënat e këtyre policëve rumun dyshohet të kenë marrë jetën e dy kosovarëve tre vjet më parë në qendër të Prishtinës.
Vrasja e Arben Xheladinit dhe Edmond Balajt nuk është zbardhur ende. Policët rumunë ikën në vendin e tyre, kurse drejtësia kosovare nuk është marrë me këtë punë.
Vetëvendosja nuk i heshti asnjëherë këto vrasje. Demonstrata fatkeqe e 10 shkurtit 2007 u organizua nga kjo lëvizje.
E pakënaqur me ekipin negociator kosovar, që po bisedonte për statusin e vendit. Kordonët policore patën zënë vend në qendër të Prishtinës, për të bllokuar marshimin e demonstruesve, aty filloi gjithçka.
Gazi lotsjellës, plumbat e gomës, gjakderdhja. Ky intervenim rezultoi me dy demonstrues të vdekur, e mbi 100 të lënduar. Të mërkurën tre vjet më vonë u bënë homazhet tek varret e dy kosovarëve që u vranë atë ditë.
Qytetari: “Arbeni vdiq, mund të themi u vra nga dora gjakatare e UNMIK-ut për të vetmin faj sepse e kishte një mendim ndryshe”.
Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti mendon se kërkesat e asaj demonstrate janë ende aktuale. Ai mendon se ende Kosova nuk e ka të drejtën e vetëvendosjes.
Albin Kurti: “Nëpërmjet të nenit 1.3 të Kushtetutës së Kosovës, e cila na e ndalon bashkimin me Shqipërinë, se dyti nëpërmjet faktit që ne vazhdojmë të mos i kontrollojmë resurset natyrore dhe kapacitetet zhvillimore dhe së treti nëpërmjet instancave ndërkombëtare, supreme”.
Në përvjetorin e demonstratës së 10 shkurtit Vetëvendosja shfaqi një film dokumentar për këtë ngjarje dhe mbajti akademi përkujtimore.
Sidoqoftë Oltit, djalit të Arben Xheladinit do t’i duhen edhe disa vite për të kuptuar përse mblidhen këta njerëz tek varri i babait të tij në këtë datë./tvklan.al