Është vrarë ekzekutori i dyshuar i policit në Serbi, ka bërë të ditur Ministra e Punëve të Brendshme e këtij shteti.
Në mediat serbe është publikuar fotografia e personit të vrarë. Identiteti i tij nuk është përmendur në komunikatën e autoriteteve serbe, por një ditë më parë ata zyrtarisht shpallën si të kërkuar Faton Hajrizin i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në kufi më Bosnjë-Hercegovinën.
Sipas mediave serbe, Hajrizi ka tentuar të kalojë Drinën dhe të arratiset në Bosnje-Hercegovinë, por nuk ia ka dalë, prandaj është fshehur në një kompleks të braktisur fabrikash.
Vrasja e policit serb kishte ndodhur në orët e para të së mërkurës pas një kontrolli rutinor.
Autoritetet serbe thanë se në vendin e ngjarjes është gjetur një pasaportë kosovare dhe një letërnjoftim gjerman me emër të Artan Hajrizit, por ky i fundit u lajmërua nga Gjermania dhe deklaroi te autoritetet gjermane se dokumentet i janë vjedhur dy ditë më parë nga vëllai i tij.
Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu në Kosovë më 6 Korrik ndërsa ishte në kërkim edhe nga autoritetet e Kosovës.
Tv Klan