Një tjetër person është zbuluar si pjesë e grupit që vranë ish-agjentin e anti-drogës Roland Rexhepi. Për ngjarjen e ndodhur në vitin 2009 në Elbasan, autori i pestë që mori pjesë është Gëzim Balla.
50-vjeçari është shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Elbasanit i ka caktuar arrest në burg për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Balla ndodhet jashtë vendit, ndaj Interpol Tirana ka kërkuar ndihmën e partnerëve për arrestimin e tij.
Ai akuzohet se bashkëpunoi me Armando Llakaj, Marjus Tafa, Florind Shabani dhe Donald Hoxha. Ky i fundit u ekstradua nga Anglia 2 muaj më parë, për tu përballur me drejtësinë shqiptare. Ndërsa i arrestuari tjetër Florind Shabani, prej vitesh ndodhej në Gjermani, deri sa u ndalua dhe u ekstradua në Shqipëri 2 vite më parë. Për këtë ngjarje Marjus Tafa dhe Armando Llakaj, janë dënuar me nga 24 dhe 23 vite heqje lirie.
Roland Rexhepi ishte krahu i djathtë i Drejtorit të policisë së Elbasanit në atë kohë, Edmond Koseni. Dy vite pas vrasjes së ish-agjentit të krimeve, iu ekzekutua edhe i vëllai, Ilir Rexhepi, biznesmen i njohur në qytetin e Elbasanit.
Ndaj ish-punonjësit të policisë ka patur dyshime se ka tentuar të prishë vendngjarjen në vrasjen e Sokol Çapjas dhe ka ndihmuar autorët të largohen nga Elbasani. Po ashtu, Rexhepi i njohur edhe si “Doda” dyshohej se ishte informator i kapjes së armëve në Fier në Gusht të vitit 2006.
Klan News