Më 27 Janar pritet të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë shqyrtimi fillestar ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

Ndaj tyre është ngritur aktakuzë lidhur me  vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj. Mbajtjen e seancës e ka konfirmuar për TV Klan, Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M., G.P., K.K., dhe T.D. është caktuar të mbahet me datë 27 Janar 2025, në ora 11.00.”

Ditë më parë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se kanë përfunduar hetimet dhe kanë ngritur aktakuzë për të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt.

Sipas aktakuzës, Naim Murseli, ish-bashkëshorti i Ademajt, akuzohet se ka përgatitur planin për ta vrarë Liridonën më 29 Nëntor të vitit 2023.

Granit Plava akuzohet si doras, ndërsa Kushtrimi Kokalla, ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë (FSK), akuzohet se ka dhënë ndihmë në kryerjen e veprës penale.

30-vjeçarja Liridona Ademaj u vra më 29 Nëntor të vitit 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Ky rast ishte i inskenuar si grabitje e armatosur.

Tv Klan