Për ngjarjen tronditëse që ndodhi këtë të martë ku 8-vjeçari Mateo Vllasiu u rrëmbye, u vra dhe më pas u gropos nga fqinji i tij, Klodian Çalamani ka reaguar edhe gazetari Blendi Fevziu:

Një fëmijë 8-vjeçar, krejtësisht i pafajshëm, ka munguar sot në shkollë. Engjëlli i vogël është rrëmbyer, vrarë dhe groposur nga fqinji i tij, me gjasë një i sëmurë mendor, por edhe një kriminel përsëritës. Përtej të qenit një krim makabër, një ngjarje e tmerrshme dhe një vrasje tejet troditëse, ajo është një këmbanë për shoqërinë tonë. Detajet nuk kanë dalë ende, por nuk është ngjarja e parë e këtij lloji. Kur i hyn më në thellësi befas zbulon që vrasësi dhe krimineli, ka kryer edhe herë të tjera tentativa të ngjashme. Dhe e kanë ditur të gjithë, lagjia, komshinjtë, policia dhe drejtësia që me gjasë e ka lënë të lirë. Pa dashur të akuzoj askënd, ngjarja meriton një reflektim të plotë, një ndëshkim të të gjithë fajtorëve dhe një identifikim të gjithë personave me rrezikshmëri të tillë. Po nuk ndodhi kjo, ky vend s’do të gjej më kurrë qetësi. Dhe vrasësit do të vërtiten rrugëve, ndërsa toleruesit apo ata që i lirojnë do të vijojnë të gëzojnë paratë e pista me të cilat kanë marrë vendimin. Që historia e vogëlushit 8-vjeçar të mos pasohet nga krime të tjera, duhet të bëjmë presion të gjithë. (P.s këtë thamë edhe në ngjarjen e tmerrshme të dikurshme të Palasës, por veç një impenjim 2 – 3 mujor, e gjitha u harrua).

ENGJËLLI I VOGËL DHE I PAFAJSHËM U PREHTË NË PAQE!/tvklan.al