Në heshtje dhe mes lotëve prindër, nxënës, qytetarë i janë bashkuar protestës të thirrur, pas vrasjes së 14-vjeçarit në shkollën “Fan Noli”. Ata kanë ndezur qirinj dhe kanë vendosur lule në hyrje të ambienteve të shkollës.
Më pas kanë marshuar drejt Ministrisë së Arsimit, duke mbajtur në duar pankartën me nënshkrimin “Institucionet e papërgjegjshme, Vrasin”.
“Ky krim ka një autor dhe autor janë të gjitha institucionet të cilat nuk kanë bërë punën e vet siç duhet, duke filluar nga oficeri i sigurisë e deri tek Ministria e Arsimit, duke përfshirë dhe kryeministrin i cili përgjegjësinë e vet e barazon vetëm me mbylljen e TikTok-ut,” tha një protestuese.
Pjesë e kësaj proteste u bënë edhe prindërit e Martinit, nëpërmjet një mesazhi që nëna e tij përcolli në këtë protestë.
“S’di se sa mirënjohëse mund të jem për të gjitha ato që u gjendën aty Martinit në momentet e tij të fundit. Ju falënderoj nga zemra. Martini ishte i mbushur me ëndrra e jetë. Ia morën të dyja. Si nënë që jam, uroj nga thellësia e shpirtit që askush të mos sprovohet me një dhimbje të tillë. Respekte Florina dhe Angel Cani, ” ka shkruar mamaja e Martinit.
Reagimet e qytetarëve ishin të shumta. Në protestë ishte dhe tezja e 14-vjeçarit e cila kërkojë drejtësi.
“Dua drejtësi, vetëm drejtësi asgjë tjetër. Drejtësia të shkojë në vend. Gjithë Shqipëria ka mbajtur zi për nipin tim,” tha mes lotësh tezja e Martinit.
Prindërit kërkuan njëzëri dorëheqjen e ministres së Arsimit Ogerta Manasitrliu.
“Është kaq njerëzore që të japësh dorëheqjen. Është kaq njerëzore! Nuk e bën dot, nuk je për atë punë. Fëmijët vdesin, fëmijët nuk arsimohen. Për çfarë e do karrigen?”, tha një protestues.
Pjesë e protestës ishin dhe prindër dhe nxënës të shkollës “Fan Noli”.
“Më erdhi shumë çudi kur thanë se ngjarja ndodhi jashtë oborrit të shkollës, sikur donte të hiqte përgjegjësinë për këtë ngjarje që ndodhi. Mbyllja e TikTok-ut nuk është zgjidhje siç tha kryeministri, ka shumë platforma në të cilën do të depërtojnë sepse jetojmë në epokë digjitale. Nuk është kjo zgjidhja, mbyllja e TikTok-ut. Sigurisht që TikTok-u ka sjellë dëme të jashtëzakonshme, por duhet që të jepet një zgjidhje më racionale dhe duhen ngritur strukturat e nevojshme, për t’u bërë ballë platformave të cilat po shkatërrojnë brezin”, tha një qytetare.
“Jam nxënëse nga klasa e Martinit, ne kemi humbur një shok që e kemi pasur për 9 vite në klasë. Kemi humbur një shok të zemrës, dhe nuk e përshkruaj dot se çfarë dhembje ndjejmë si klasë, një mërzi dhe ata donin që ne të bënim mësim që ta harronim këtë gjë. Është një gjë e turpshme për klasën,” tha e prekur një shoqe e klasës së Martinit.
Në mbyllje prindërit thanë kërkesat e tyre, për rritje të buxhetit të arsimit, më shumë psikolog në shkolla duke arritur raportin 1 për 200 nxënës, qëndrimin deri ën orën 16:00 të fëmijëve në ambientet e shkollës, ndalimin e gjuhës së urrejtjes nëpër rrjete sociale nëpërmjet institucioneve dhe mekanizmave ligjorë, si dhe pikën kryesore dorëheqjen e ministres Manastirliu, duke i lënë afat 24 orë, në të kundërt vijojnë me protesta ditën e hënë.
Klan News