Dy infermiere të azilit privat të të moshuarve në Tiranë ku mëngjesin e së enjtes ndodhi një vrasje u vunë në pranga nga policia.
Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi, 31 dhe 26 vjeç akuzohen se kanë kryer veprime që kanë penguar zbulimin e së vërtetës.
Sipas burimeve nga grupi hetimor menjëherë pasi 78-vjeçari Zyhdi Shehi i mori jetën shokut të tij të dhomës Virxhil Vesho 82 vjeç duke e goditur me një bastun hekuri në kokë janë njoftuar infermieret.
Në vend që të lajmëronin policinë ato e kanë mbështjellë trupin e viktimës me çarçaf dhe e kanë dërguar në një agjenci funerale për të kryer proceduarat e varrimit.
Por punonjësit e agjencisë e kanë kthyer trupin mbrapsht kur kanë parë plagët në trupin e 82-vjecarit ndërsa kanë njoftuar edhe policinë.
Në dëshminë e tyre infermieret janë shprehur se nuk dyshuan për një vrasje, por menduan se i moshuari ishte rrëzuar.
Por grupi i hetuesve ngriti akuzën ndaj tyre pas këqyrjes së kamerave të sigurisë ndërsa vijon marrja e dëshmive deri në zbardhjen e plotë të rrethanave.
Sipas policisë krimi i rëndë ndodhi pas një sherri banal mes të moshuarve në dhomë.
Tv Klan