78-vjeçari, Zyhdi Shehi i arrestuar si autor i vrasjes së Virxhil Veshos në një azil privat në Tiranë do të shtrohet në psikiatri.
Ky është vendimi i Gjykatës së Tiranës, i komunikuar këtë të diel për të moshuarin që goditi për vdekje shokun e tij të azilit në orët e para të mëngjesit të së enjtes.
Ndërkohë për dy infermieret e azilit ku ndodhi ngjarja janë lënë në “arrest shtëpie” për akuzën e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Vrasja e 82-vjeçarit Virxhil Vesho, ndodhi në dhomën ku ai po flinte së bashku me autorin e krimit.
Ky i fundit e goditi atë në kokë me bastun duke e lënë të vdekur. Në dëshminë përpara oficerëve të policisë, Zyhdi Shehi deklaroi se e goditur 82-vjeçarin pasi ky i fundit nuk i ishte përgjigjur nëse kishte njeri tjetër në dhomë pasi kishte dëgjuar zëra.
Kjo dëshmi e tij përpara grupit të hetimit ka shtyrë organin e akuzës dhe Gjykatën e Tiranës të caktojnë shtrimin e 78-vjeçarit në psikiatri.
Tv Klan