Adriatik Tresa u hetua për ekzekutimin e Ilir Hidrit
Vrasja e Adriatik Tresës në Ekuador duket se ka lidhje me përplasjet mes shqiptarëve në qytetin Guayaquil.
Televizioni Klan kontaktoi me dy gazetarë të mediave lokale në Guayaquil, të cilët thanë se policia aty, e ka hetuar Adriatik Tresën për ekzekutimin e një tjetër shqiptari.
Bëhet fjalë për vrasjen e Ilir Hidrit në vitin 2017, kur Tresa u hetua si i përfshirë në ekzekutim. 45-vjeçari cilësohej si person me rrezikshmëri të lartë, jetonte në një vilë, lëvizte me makinë të blinduar dhe gjithë kohës mbrohej edhe nga rojet.
Mediat në Ekuador shkruajnë se përplasjet mes shqiptarëve kanë ardhur për shkak të kokainës. Adriatik Tresa cilësohej si pjesë e një karteli droge në Guayaquil, ndërkohë që ishte hetuar edhe për vrasjen e një gazetari në vitin 2013, po në atë zonë.
45-vjeçari nga Tirana kishte marrë leje qëndrimi në Ekuador, ndërkohë që i janë gjetur në banesë edhe dokumente greke, përveçse atyre shqiptare.
Ai përdorte disa emra, sipas autoriteteve në Guayaquil. Tresa u ekzekutua 3 ditë më parë nga 7 persona të kamufluar si policë. Autorët u futën në zonën ku jetonin të pasurit, me pretendimin se kishin urdhër kontrolli, por më pas ekzekutuan 45-vjeçarin shqiptar.
Tv Klan