Për shkak të gjendjes shëndetësore dhe moshës së mitur, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ende nuk ka vendosur se ku do të dërgojë 14-vjeçarin, i akuzuar si autor i vrasjes së bashkëmoshatarit të tij pranë shkollës “Fan Noli”.

Të hënën, përmes një komisioni do të përcaktohet nëse ai është në gjendje të mirë shëndetësore për t’u dërguar në burgun e Kavajës, i vetmi institucion i vuajtjes së dënimit për të miturit në vend, apo do të dërgohet në spitalin e burgut, që është brenda QSUT-së.

14-vjeçari është vënë në masën e sigurisë “Arrest në burg” për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese dhe mbajtje dhe prodhim të armëve të ftohta.

Ndërkohë në lidhje me dyshimet e ngritura nga babai i i të miturit tjetër të plagosur, mik me viktimën, se në ngjarje është përfshirë edhe një person i katërt, që ka qëlluar me thikë, Policia e mohon.

Me anë të një komunikimi zyrtar, Policia e Shtetit thotë se ka të konfirmuar nëpërmjet dëshmive dhe pamjeve filmike e gjithë dinamika dhe deri më tani nuk ka person të tjetër që të jetë përgjegjës.

Grupi i hetimit thotë se ka marrë dëshminë e të gjithë fëmijëve të përfshirë dhe gjithashtu babait të djalit të plagosur në mënyrë që të verifikojë pretendimet e tij.

Gjatë kësaj të diele grupi i hetimit gjithashtu ka marrë dëshmitë e disa personave përfshi dhe fëmijë të tjerë për të cilët besohet se kanë pasur dijeni mbi konfliktin dhe rrethanat e tij.

Tv Klan