Prokuroria e Posaçme dhe Drejtoria e Burgjeve kanë sqaruar se përse në dosjen hetimore të kryebashkiakut Erion Veliaj ishte shënuar “i dënuar” sa i përket gjendjes së tij gjyqësore.

Një ditë pasi Veliaj e cilësoi skandal këtë gjë në një reagim të tij nga qelia, SPAK thotë se kjo ishte produkt i një certifikate të gjeneruar nga sistemi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

SPAK: Si pjesë e akteve të depozituara pranë Gjykatës së Posaçme është edhe një certifikatë elektronike e gjendjes gjyqësore me nr. prot. 5488 datë 23.01.2025, e gjeneruar nga sistemi i Drejtorisë së Përgjithshëm të Burgjeve, ku organi procedues ka akses. Kjo certifikatë, në brendësi të saj përmban informacionin se shtetasi E.V, i biri i L. dhe Sh. lindur më 17.12.1979 në Tiranë, rezulton “I dënuar”.

SPAK bën të ditur gjithashtu se në lidhje me këtë certifikatë, i ka kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e cila ka sqaruar mes të tjerave se “çdo herë kur printohet Vërtetimi i Gjendjes Gjyqësore me shënime, del dhe statusi i dënuar si në këtë rast”.

Lidhur me këtë debat ka reaguar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila konfirmon se në përgjigjen e dhënë kërkesës së SPAK, është saktësuar se ndaj Veliajt janë dhënë 3 vendime pafajësie.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve: Pas verifikimeve në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore, ai rezulton i padënuar dhe ndaj tij janë dhënë tre vendime pafajësie. Sqarojmë se, në rastet kur kërkohet vërtetimi me historik, përfshihen edhe të dhënat mbi vendimet e mëparshme, përfshirë pafajësitë apo vendimet e rehabilitimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi skandal cilësimin në dosjen e tij hetimore si i dënuar. Në një reagim nga qelia, Veliaj tha se prokurori Ols Dado u mundua ta kalonte thjeshtë si një lapsus, por sipas tij kjo tregon se ai e konsideron të dënuar ende pa u gjykuar.

Tv Klan