Sot krimi ka tronditur rendin dhe ka shtuar frikën tek qytetarët. Në një kryqëzim pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” është qëlluar me armë zjarri një i ri nga kryeqyteti. Viktima ndodhej brenda makinës së tij. Sipas disa dëshmitarëve vrasja ka ndodhur sot rreth orës 14:30 në një kryqëzim vetëm 200 metra larg Ministrisë së Rendit Publik.

Ndërsa viktima ndodhej brenda makinës së tij, dy persona i janë afruar në këmbë. Vetëm pas disa sekondash pasi janë siguruar për objektivin e tyre, kanë nxjerrë automatikun dhe kanë qëlluar mbi të. Arma me të cilën kanë qëlluar sipas specialistëve është një armë tepër e sofistikuar dhe shumë e rrallë në duart e shqiptarëve.

Pasi është qëlluar autorët e vrasjes e kanë hedhur automatikun në tokë duke e shndërruar në një provë për ekspertizën. Por nuk kanë mjaftuar plumbat e automatikut për të bindur autorët e vrasjes për vdekjen e armikut të tyre. Pasi kanë parë që viktima edhe pse me shumë plumba në trup ka dalë nga makina duke u munduar t’i shpëtojë vdekjes, dy ekzekutuesit kanë hedhur dhe një bombë në drejtim të tij.

Bomba, zhurma e së cilës u ndje mjaft në qëndren e kryeqytetit i ka marrë përfundimisht jetën të riut nga Tirana. Më pas dy vrasësit kanë vrapuar në këmbë drejt rrugës së Elbasanit për t’iu shpëtuar forcave të policisë të cilët mbërritën pas pak sekondash. Nuk mbeti asgjë tjetër veçse të mbulonin viktimën dhe të nisin hetimet për zbardhjen e vrasjes./tvklan.al

Gazetar : Eduart Frangaj