Një efektiv policie mbeti i vrarë me armë zjarri këtë hënë në Fier. Ngjarja e rëndë rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz.

Sipas gazetares Anila Sefa, viktimë nga të shtënat ka mbetur efektivi i Shqiponjave, Novruz Cenalia, rreth 28-vjeç. Efektivi dyshohet se u qëllua për vdekje nga Azgan Mërnica, 23-vjeç, i cili u largua nga vendi i ngjarjes me makinë. Mjeti u gjet i braktisur jo shumë larg vendit të ngjarjes, pak kohë pas vrasjes.

Azgan Mërnica, autori i dyshuar i vrasjes. Foto e publikuar nga Klan News

Efektivi Cenalia mësohet se ishte jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e policisë, pasi po shkonte për të marrë detyrën. Ai ishte pjesë e policisë prej rreth 3 viteve.

Sa i përket motiveve, paraprakisht policia thotë se shkak për vrasjen është bërë një konflikt i çastit. Por gazetarja Sefa mëson se viktima dhe autori i ngjarjes janë me origjinë nga Hasi dhe shkak për ngjarjen dyshohet të jetë bërë gjakmarrja.

Efektivi Novruz Cenalia, foto e konfimuar nga gazetarja Anila Sefa
Efektivi Novruz Cenalia, foto e konfimuar nga gazetarja Anila Sefa

Sipas asaj që mësojnë gazetarët e Klan News, në 1997, babai i efektivit raportohet se në kushtet e vetëmbrojtjes ka vrarë fqinjin e tij në Has.

Po sipas të njëjtave burime, edhe babai i 28-vjeçarit të vrarë këtë të hënë, është pjesë e uniformave të policisë në Fier.

“Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, Azgan Mërnica ka vrarë me armë zjarri Novruz Cenalia, punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin. Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit. Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje”, tha Policia e Fierit në një njoftim për mediat.

Vrasja e të riut ka tronditur kolegët që mbërritën në vendin e ngjarjes. Forca të shumta policie dhe ato të RENEA-s aktualisht po punojnë intensivisht për të kapur autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë./tvklan.al