Azgan Mërnica doli këtë të premte para gjykatës së Fierit, për t’u njohur me masën e sigurisë.
I veshur me antiplumb dhe i shoqëruar nga dy furgona policie, 23-vjeçari mbërriti rreth orës 13:45 në ambientet e gjykatës. Nga aty doli rreth 1 orë më vonë. Shkak u bë fakti se asnjë avokat nuk pranoi të merrte përsipër mbrojtjen e tij. Megjithatë, në përfundim gjykata arriti të gjente një avokat kryesisht për të dhe i caktoi masën e sigurisë arrest në burg.
Në sallë të gjyqit ai mësohet se nuk ka folur asnjë fjalë. E vetmja gjë që tha ishte një “po” kur gjyqtarja e pyeti nëse e pranonte krimin. Sipas gazetares Anila Sefa, në gjykatë nuk ishte i pranishëm asnjë familjar i tij.
23-vjeçari, i cili mesditën e së hënës vrau me armë zjarri efektivin Novruz Cenalia, u vetëdorëzua 48 orë pas krimit. Mbrëmjen e së mërkurës ai u dërgua nga familjarët në drejtorinë e policisë së Fierit, pasi më parë ishte lokalizuar nga RENEA.
Para hetuesve, vetë 23-vjeçari e ka pranuar krimin e rëndë dhe nuk ka shfaqur pendesë. Ai ka treguar se po udhëtonte me shpejtësi kur desh u përplas me makinë me efektivin e Shqiponjave, në një prej rrugëve të fshatit Baltëz.
28-vjeçari, i cili ishte nisur për në punë, i bëri me shenjë të ndalonte dhe pasi zbritën nga mjetet iu drejtua me fjalët “ku shkon me këtë shpejtësi”. Nën pretendimin se u ndje i frikësuar, Mërnica u tregoi hetuesve se e qëlloi policin Cenalia, sapo ky i fundit u kthye me kurriz për nga makina e tij.








Për më shumë se 48 orë, vrasësi 23-vjeçar u fsheh nëpër kanalet e fshatrave të Fierit. Pasditen e së mërkurës, u kthye në shtëpinë e dajës së tij në Dërmenas, pasi siç pranoi ishte edhe i uritur pasi kishte dy ditë pa ngrënë.
Mbi Azgan Mërnicën rëndon akuza e vrasjes së punonjësit të Policisë së Shtetit dhe armëmbajtje pa leje./tvklan.al