Gjykata e Apelit – Trupa gjykuese e përbërë nga Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro do vendosin sot për vulën e PD. (Lexo më shumë)


Dy Sekretarët për Çështjet Ligjore, Ivi Kaso dhe Indrit Sefa si përfaqësues të palëve, kanë bërë apel për vendimmarrje të drejtë.

“Gjykata duhet të bëjë një verifikim nëse është e njëjta palë me të njëjtin subjekt. Gjykata është vënë në lëvizje nga një palë që nuk duhet të ishte palë në proces dhe këtë e sqaron edhe Gjykata e Lartë në vendimin e saj. Vetë pala është e paqartë se në çfarë cilësie ka vepruar. Deputeti Alibeaj firmoi një ankim kur kryetari i PD ishte shkarkuar dhe më pas publikisht kishte dhënë dorëheqjen në Mars 2022”, mësohet të ketë thënë Kaso në seancë, raporton gazetarja Glidona Daci.

Kaso ka kërkuar nga Gjykata mos pranimin e ankimit të bërë nga Alibeaj kundër vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri. Ndërkohë avokati tjetër i Lulzim Bashës, Rezart Kthupi ka deklaruar se palë në proces është vetëm një, Partia Demokratike e Shqipërisë.

Pjesë nga diskutimet në seancë:

Rezart Kthupi: Jemi në kushtet e një vijimësie të ushtrimit të drejtimit të partisë me autorizim fillimisht nga zoti Basha dhe më pas nga zoti Alibeaj. Subjekti i animuar nuk është Alibeaj, por PDSH. Kjo gjykatë e ka për detyrë të sqarojë se kush i ka tagret e përfaqësimit. Basha vërtet dha dorëheqjen, por nuk e dorëzoi në Gjykatë. Nuk ka një vakum për drejtimin e partisë. Ne kërkojmë që kërkesa të rrëzohet dhe të vazhdojmë me gjykimin në themel. Nuk është konflikt palësh juridike.

Indrit Sefa: Gjykata e Lartë është shumë e qartë me tagret e përfaqësimit. Autorizimit nuk i mbaron efekti kur autorizuesi ka dhënë dorëheqjen. Alibeaj përfaqëson Partinë Demokratike.

Ivi Kaso: Si KAS, si Kolegji Zgjedhor thonë që dorëheqja është fakt i njohur botërisht dhe nuk kishte nevojë për ta dorëzuar si shkresë.

Gjykata do shprehet në fund të gjykimit për kërkesën e Kasos, që “Alibeaj të mos jetë palë në proces”. Vijon seanca për vulën…

E.D/tvklan.al