Trump heq ndalimin e hyrjes për europianët; Biden: Ende herët, do ta rikthejmë
Uashingtoni është blinduar me masa të paprecedenta sigurie për ceremonitë e të mërkurës për marrjen e postit të Presidentit nga Joe Biden.
Krahas forcave të rendit janë angazhuar edhe një numër rekord prej 25 mijë trupash të Gardës Kombëtare, pas paralajmërimeve të FBI-së se mbështetësit e Donald Trump mund të organizojnë trazira, si sulmi i 6 Janarit ndaj Kongresit.
Axhenda parashikon që Biden të marrë mandatin në mesditën e të mërkurës. Ndër vendimet e para pritet të jetë anulimi i dekretit të pararendësit të tij, i të hënës që parashikon fundin më 26 Janar të ndalimit të hyrjeve të shtetasve nga vendet europiane dhe Brazili.
Kjo masë u vendos në Maj si pjesë e paketës për frenimin e përhapjes së koronavirusit, por administrata Biden thotë se është ende herët për një vendim të tillë, teksa shifrat e pandemisë sapo kanë kaluar rekordet.
Mes vendimeve të para të Biden pritet të jetë vendosja e maskave me detyrim kundër Covid-19, heqja e ndalimit të hyrjeve për shtetasit nga disa vende të destabilizuara me shumicë myslimane, rikthimi në marrëveshjen e Parisit për klimën edhe ribashkimi i familjeve të ndara pas vendimit për ngritjen e murit në kufirin me Meksikën.
Në orët e fundit të presidencës së tij edhe Donald Trump nuk do të qëndrojë duarkryq, pasi ndër të tjera pritet të nënshkruajë dhjetëra amnisti, kryesisht për bashkëpuntorë dhe ish-bashkëpuntorë që kanë probleme me drejtësinë.
Tv Klan