Me male mahnitëse, plazhe idilike, ushqim të mrekullueshëm dhe fshatra mesjetare pa turma vizitorësh ky vend i vogël ballkanik meriton të jetë në listën tuaj të udhëtimeve, shkruan Robert P. Walze në një artikull të botuar në të përditshmen amerikane “The Wall Street Journal”.
I pasionuar pas aventurës së çiklizmit, një herë në vit, ai erdhi së bashku me një mik që ia prezantoi Shqipërinë. Në fillim skeptik, por më pas mendimi ndryshoi.
“Pas hulumtimit të Shqipërisë, zbulova se ashtu si Italia dhe Franca, ky vend i vogël mesdhetar ka male alpine të larta, një rivierë me ujëra të pastra, një kulturë të pasur ushqimore, histori antike dhe fshatra mesjetare,” shkruan Walze.
Një aeroport i ri ndërkombëtar dhe disa hotele moderne do të hapen vitin e ardhshëm, nënvizon artikulli, pa harrur resortin luksoz në Sazan që po planifikohet të ndërtohet nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner.
Për të menaxhuar udhëtim, dy udhëtarët amerikanë punësuam një udhërrëfyes lokal çiklizmi, një emigrant amerikan me ngjyrë, i cili, në përpjekje për t’i shpëtuar politikës dhe racizmit amerikan, ishte zhvendosur në Shqipëri si një nomad dixhital tre vjet më parë.
Gjatë një rrugëtimi 5-ditor nëpër qytetet bregdetare të Vlorës, Himarës, Sarandës dhe Ksamilit, si dhe Qytetin e Gurtë të Gjirokastrës, të tre pedaluan nëpër rrugë malore, gjarpërore të rrethuar nga pisha dhe bredhi.
Në pika të ndryshme, pamjet mahnitëse të deteve Jon dhe Adriatik iu kujtuan udhëtarëve bregun e Paqësorit të ShBA-së dhe bregun Amalfi të Italisë. Pa dyshim gjatë rrugës hëngrën byrek, peshk, makarona e pica. U vizitua kalaja strategjike e Porto Palermos, e ndërtuar nga sundimtari legjendar shqiptar i shekullit XIX, Ali Pasha.
Më pas udhëtimi vazhdoi në Gjirokastër, një qytet malor Trashëgimi Botërore e UNESCO-s.
“Qendra e saj është e ndarë, jo nga një katedrale, por nga një minare e lartë e Xhamisë së Madhe të qytetit, e vendosur mes një pazari shumëngjyrësh. Kalaja e famshme e Gjirokastrës ishte më e qetë, ndoshta pasi kureshtarët duhet të ngjiten më këmbë për të arritur majën e saj. Por, udhëtimi ia vlen” shton Walze.
Udhëtarët vlerësuan mikpritjen e ngrohtë të cilën e shijuan teksa servirej raki.
Klan News