Trajneri Xavi Hernandez po përgatitet të rikthehet në stol. Në një intervistë të dhënë për “France Football”, tekniku spanjoll deklaroi se është në kërkim të një projekti interesant, pasi shtoi se ka ambicie për të fituar.
Duke folur për aventurën te Barcelona si trajner, Xavi pranoi se ka bërë disa gabime, por theksoi se ecuria e tij ka qenë pozitive. Ai tha se ndihet krenar që i besoi të rinjve.
“Barcelona nuk është thjesht një klub, është më shumë se fe. Jam i hapur për sugjerime, për tu rikthyer në stol. Pse të mos punoj për një tjetër ekip në La Liga?! Jam në kërkim të një projekti emocionues sepse kam ambicie për të fituar trofe. Pritshmëritë për mua si trajner te Barcelona ishin të mëdha, për shkak të asaj që kisha arritur si lojtar. Ndonjëherë kjo funksionon kundër meje. Ndoshta isha tepër i emocionuar, por kjo përvojë ishte një mësim i rëndësishëm. E pranoj se kam bërë disa gabime të Barcelona. Nëse shikoni ecurinë, ishte pozitive, sepse klubi po kalonte një nga periudhat më të vështira në histori.
Përtej titujve, ndihem shumë krenar për faktin që i besova lojtarëve të rinj si Fermin, Lamine Yamal, Pau Cubarsi dhe Alejandro Balde. Ata përfaqësojnë të ardhmen e klubit dhe më bëjnë krenar”, deklaroi Xavi.
Tekniku 45-vjeçar është pa kontratë dhe shpesh emri i tij është lidhur me klube të ndryshme, si Milan apo Manchester United. /tvklan.al