Juventusi duket se ka hedhur pas krahëve momentin e vështirë dhe synon pjesën e sipërme të renditjes. “Zonja e Vjetër” do të presë në shtëpi Atalantën, në një përballje që vlen për vendin e tretë.
Në prag të kësaj përballje, trajneri i Juventusit, Thiago Motta deklaroi se skuadra e tij është gati të bëjë gjithçka për të marrë fitoren.
Tekniku bardhezi nuk i kurseu vlerësimet për Atalantën, por edhe për trajnerin Gian Piero Gasperini.
“Jemi të përqendruar si gjithmonë te ndeshja e radhës, sepse e dimë nivelin e kundërshtarit tonë. Nuk duhet të humbasim energji me gjëra të tjera. Duhet të zbatojmë gjithçka që kemi për të arritur fitoren.
Atalanta ka lojtarë me karakteristika të veçanta dhe një trajner që di të përshtatet. Mund të ndryshojnë skemat e mbulimit gjatë ndeshjes dhe janë shumë të aftë në lojën e tyre. Duhet të jemi të përqendruar për të mos i lejuar të zhvillojnë lojën e tyre të zakonshme.
Është shumë e rëndësishme që ne vazhdojmë të krijojmë raste. Sa më shumë të krijojmë, aq më shumë do të rritet probabiliteti për të shënuar. Duhet të provojmë sulme nga krahët, nga qendra, të shfrytëzojmë lojën individuale dhe kreativitetin e lojtarëve tanë. Kjo është rruga drejt suksesit.
Gasperini është një trajner i madh, jo vetëm në Itali, por edhe në nivel ndërkombëtar. Ai ka një ndikim të madh te lojtarët e tij dhe arrin të nxjerrë më të mirën prej tyre. Nuk ka më nevojë të provojë asgjë, është i jashtëzakonshëm.
Lojtarët tanë japin gjithçka në fushë, por ndonjëherë ndiejmë se presioni mund të na penalizojë. Duhet të ruajmë ekuilibrin dhe të mos e shohim këtë si një barrë. Futbolli është një lojë dhe duhet të luajmë me pasion, guxim dhe kreativitet”, deklaroi Motta.
Ndeshja Juventus-Atalanta, do të luhet të Dielën, duke nisur nga ora 20:45. /tvklan.al