Gjykata Kushtetuese pranon pjesërisht padinë e opozitës për mandatin e Olta Xhaçkës. Ky institucion urdhëron Kuvendin që të dorëzojnë mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes.
“Shfuqizimin e vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024 “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.”
Gjykata Kushtetuese thekson se vendimet e saj janë të detyrueshme për t’u zbatuar.
“Gjykata ritheksoi se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit. Asnjë organ nuk ka të drejtë t’i vërë ato në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë. Ndikimi i padiskutueshëm i vendimeve të saj është i tillë që ju imponon të gjithë organeve shtetërore fuqinë detyruese të vendimit të saj. Ky efekt detyrues ka të bëjë si me pjesën urdhëruese, ashtu edhe me pjesën arsyetuese të vendimit.”
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Kuvendit për çelje të shqyrtimit gjyqësor dhe marrjen e një opinioni nga Komisioni i Venecias. Opozita pretendon se mandati i Olta Xhaçkës është në papajtueshmëri me kushtetutën pasi bashkëshorti i saj ka përfituar statusin e investitorit strategjik. Ligji i ndalon deputetët që të përfitojnë nga fondet publike.
Klan News