Decentralizimi, ndarja territoriale, përdorimi i gjuhës shqipe dhe referendumi, janë paraqitur sot për mediat nga kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë Arbën Xhaferi dhe stafi i tij teknik hartues të kësaj platforme me qëllim informimin e opinionit publik shqiptar mbi procesin e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni. Përdorimi i gjuhës shqipe, përfaqësimi adekuat dhe i drejtë i shqiptarëve në institucionet e sistemit dhe decentralizimi i pushteti dhe ndarja territoriale kanë qenë shtyllat kryesore që kanë sjellë paqen në Maqedoni.
Pasi kanë paraqitur shifra dhe detaje të diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni, vetë zoti Xhaferi, duke iu përgjigjur edhe pyetjes së Klan, ka pranuar mungesën e bashkëpunimit me partitë e tjera shqiptare jashtë Maqedonisë, por edhe brenda saj si Lidhja Demokratike e Shqiptarëve të Maqedonisë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit e cila është në qeveri.
Arbën Xhaferi: “Në përgjithësi partitë shqiptare të dala nga lufta tentojnë të ndërtojnë një imazh pozitiv për vetveten duke vepruar për misionin e një politike të moderuar. Mendoj se nuk kam të drejtë shumë të analizoj atë parti, mirëpo do të analizoj kontekstin historik. Pra, në Maqedoni janë dy kategori politikanësh: pra politikanë që ishin të së djathtës, në kohën kur qeverisëm ne ata konstatuan se më nuk mund të kontrollohet energjia dhe kapaciteti i shqiptarëve në Maqedoni dhe ofruan ndarjen. Ndarjen e ofroi Akademia e Shkencave, ndarjen e ofroi edhe ajo parti politike. Ndërkaq ekziston një dimension tjetër i politikës që është mësuar me manipulime dhe me krijim të konfuzionit duke tentuar që shqiptarët gjithmonë t’i manipulojnë. Pra LSHDM-ja, si bartëse e këtij opsioni manipulues, arriti që në një parti politike shqiptare në fillim të viteve ‘ 90 ta shuajë.”
Zgjidhjen e çështjes së implementimit të Marrëveshjes së Ohrit zoti Xhaferi e sheh te monitorimi ndërkombëtar. /tvklan.al