Socialistët kanë akuzuar eksponentë të mazhorancës se po ushtrojnë presion mbi prokurorinë për shkak të pozicionimit të kësaj të fundit mbi ngjarjen e Gërdecit. Sipas Ylli Manjanit, ekspert për çështje ligjore në selinë rozën, kjo formë e presionit politik vjen në një moment kur politika vendimmarrëse është përballë heqjes së barrierave klasike të imunitetit.
Ylli Manjani: “I bëjmë apel kryeministrit të vendit dhe të gjithë eksponentëve të kësaj mazhorance që të ndalin shigjetimet e pa lejueshme ndaj prokurorisë së republikës dhe të përpiqen që së bashku me ne ta çlirojmë prokurorinë nga duart e politikës.”
Sipas Manjanit zbardhja e ngjarjes së Gërdecit është përcaktuese për besueshmërinë e organeve të hetimit. Nën këtë frymë socialistët angazhohen t’i krijojnë organit të akuzës kushtet për të punuar e pa ndikuar nga politika e deklaratave./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi