“Dozat do të paguhen me çmimin e furnizimit”
Serbia do të ndajë 8 000 vaksina të kompanisë Pfizer për Maqedoninë e Veriut, ka njoftuar Kryeministri Zoran Zaev. Serbia, siç tha Kryeministri, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së autoriteteve të Shkupit, kurse ndihma është konfirmuar gjatë një komunikimi me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Sipas Zaevit autoritetet serbe kishin ofruar që vaksinat të jenë donacion, por në fund është arritur marrëveshja që Maqedonia e Veriut t’i pagujaë vaksinat, por me çmimin e furnizimit.
“E pranuam ndihmën e ofruar nga Serbia përmes Presidentit Vuçiç. Në mëngjes biseduam, kurse detajet do t’i dakordojmë gjatë ditës. Bëhet fjalë për 8.000 vaksina nga Pfizer kurse të tjerat duhet të dakordohen përmes marrëveshjeve që ka Serbia, nëse ka mundësi t’i japin. Në emër të popullit të Maqedonisë së Veriut, falenderoj Serbinë për këtë akt miqësie”
Kryeministri Zaev theksoi se gjatë ditës do të bisedojë edhe me Kryeministren serbe Ana Bërnabiç për detajet e transportit të vaksinave, duke paralajmëruar edhe bisedime mes Ministrive të Shëndetësisë së dy vendeve. Ai konfirmoi se të parët që do të injektohen do të jenë punonjësit shëndetësor nëpër Covid-qendrat, e më pas të tjerët që i takojnë grupeve të rrezikuara.
Ndërkohë, autoritetet e Maqedonisë së Veriut, janë në pritje të 5.850 vaksinave të dakorduara nga kompania Pfizer që duhet të arrijnë në Shkurt. Bëhet fjalë për marrëveshjen për furnizim të 800 mijë dozave për 400 mijë qytetarë, si dhe dozat që do të arrijnë përmes mekanizmit Covax.
Autoritetet e shëndetësisë në Shkup thonë se janë të gatshëm për procesin vaksinimit. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se Klinika për Transfuziologji ka dhënë 2 frigoriferë për ruajtjen e vaksinës së Pfizer në minus 80 gradë Celsius, kurse gjatë fundjavës arritën edhe dy të tjerë të këtij lloji. Sipas njoftimeve, deri në fund të Janarit duhet të arrijnë edhe tre frigoriferë për vaksinën e Pfizer.
Tv Klan