Policia e Gjirokastrës ka mundur të zbardhë grabitjen e të moshuarit në Memaliaj dy ditë më parë, të cilit iu vodhën një shumë parash nga persona të paidentifikuar.
Gjatë hetimeve të bluve të Gjirokastrës, në bashkëpunim me Policinë e Durrësit, Memaliajt e Tepelenës, u identifikuan dhe u arrestuan 3 persona, ndërsa një tjetër është në kërkim.
Të arrestuarit janë E.A. 23 vjeç, A.R. 22 vjeç dhe F.R. 28 vjeç të gjithë nga Durrësi. Atyre iu gjet një pjesë e parave të vjedhura, si dhe ju sekuestruan 4 celularë, një makinë dhe dy doza kokainë.
Më datë 4 Janar, të rinjtë kishin hyrë në banesën e të moshuarit H.R. në Memaliaj dhe i kishin grabitur një shumë të konsiderueshme parash.
Policia thotë se ky grup njihet me pseudonimin “Etalon” dhe është përgjegjës edhe për disa vjedhje të tjera në qarqe të ndryshme. Hetimet po vijojnë, ndërsa të arrestuarit akuzohen për vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim dhe prodhim e shitje droge. /tvklan.al