Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën “arrest në burg” dhe “arrest shtëpi” për 9 persona, të cilët i akuzon për skema mashtruese dhe piramidale me anë të kredive. Në pranga kanë rënë 4 persona, ndërsa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Ka qenë ministria e Drejtësisë që ka depozituar kallëzimin penal ndaj disa subjekteve dhe përmbaruesve të tyre.
Nga dosja hetimore rezulton se këto shoqëri morën nga një bankë e nivelit të dytë 3999 kredi që konsiderohen të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej rreth 7.3 milionë Euro.
Prokuroria thotë se u përdor një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje. Më pas ata u bllokonin nëpërmjet shoqërive përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat e kredimarrësve.
“Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga Micro Credit Albania, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA. Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.”
Organi i akuzës cilëson si rast tipik vendosjen e sekuestros konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Në një prej tyre, për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi.
Klan News