“Konfirmoi mbështetjen e fuqishme për integrimin e Shqipërisë”
Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, zhvilloi një takim me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha këtë të martë. Takimi u bë në ambientet e selisë blu gjatë vizitës dyditore të kreut të PE-së në vendin tonë.
Në një postim në rrjetet sociale kreu i selisë blu tregoi se për çfarë diskutoi në takimin me Sassoli-n. Ai tha se Presidenti i PE-së konfirmoi mbështetjen e fuqishme për rrugën europiane të Shqipërisë.
“Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar po bën gjithçka që hapja e negociatave me Bashkimin Europian të bëhet realitet sa më parë. I lumtur të takoja mikun e Shqipërisë, Presidentin e Parlamentit Europian z. David Sassoli dhe të merrja prej tij konfirmimin se, personalisht dhe institucionalisht, do të jetë një mbështetje e fuqishme dhe e vazhdueshme për rrugën europiane të Shqipërisë dhe përparimin demokratik të vendit tonë. I konfirmova se Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar po bën gjithçka që aspirata e qytetarëve shqiptarë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian të bëhet realitet sa më parë. Bashkimi Europian dhe respektimi i vlerave europiane është e ardhmja e vetme e Shqipërisë, pavarësisht krizës që vendi po kalon! Mirënjohje Presidentit Sassoli dhe Parlamentit Europian për mesazhin shpresëdhënës se populli shqiptar ka patur dhe do të ketë gjithmonë mbështetjen e Europës”.
Sassoli mbërriti të hënën në vendin tonë, kur u takua fillimisht me kreun e qeverisë Edi Rama. Gjatë një konference për shtyp ai u shpreh se Shqipëria duhet të nisë procesin e anëtarësimit me Bashkimin Europian.
Gjithashtu ai u njoh edhe me paketën antiKÇK për të cilën tha se pret rezultate të rëndësishme. Sassoli mbajti edhe një fjalim në foltoren e Kuvendit. Më vonë u takua me kreun e shtetit, Ilir Meta./tvklan.al