Në Siri po dalin në dritë skenat mizore të dy varrezave masive, prova që ekspozojnë “makinerinë e vdekjes” të drejtuar nga shteti nën udhëheqjen e liderit të rrëzuar Basharal-Assad. Vlerësohet se mbi 100,000 vetë janë torturuar dhe vrarë që nga viti 2013.
Duke folur pas vizitës së dy varreza masive në qytetet Qutayfah dhe Najha pranë Damaskut, ish-ambasadori amerikan për krimet e luftës dhe kreu i Komisionit për Drejtësi dhe Përgjegjësi Ndërkombëtare, Stephen Rapp i tha agjencisë Reuters se numri i të zhdukurve mund të jetë mbi 100 mijë vetë.
“Unë nuk kam shumë dyshime për numrat duke pasur parasysh atë që kam parë në këto varre masive. Kur flasim për këto lloj vrasjesh të organizuara nga shteti dhe organet e tij, vlen të kujtojmë se diçka të tillë nuk e kemi parë nga nazistët.”
Rapp ka drejtuar proceset penale në gjykatat e krimeve të luftës në Ruanda dhe Sierra Leone.
Banorët që jetojnë pranë një ish-baze ushtarake, ku ndodhet njëra prej varrezave dhe një qendër paraburgimi, përshkruajnë kalimin e vazhdueshëm të kamionëve frigoriferë që sillnin trupa të cilët hidheshin në llogore të gjata të gërmuara me buldozerë.
Në këtë gjendje të vështirë sociale dhe ekonomike, Kombet e Bashkuara kërkuan hapa konkretë për një tranzicion politik gjithëpërfshirës që do të jetë çelësi për të siguruar mbështetje ekonomike. I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë Geir Pedersen, i tha Këshillit të Sigurimit të martën se “nevojat janë të mëdha dhe mund të adresohen vetëm me mbështetje të gjerë, duke përfshirë heqjen e sanksioneve.”
Pedersen dhe shefi i ndihmës i OKB-së Tom Fletcher informuan këshillin 15 anëtarësh nga Damasku.
Edhe presidenti turk Tajip Erdogan bëri thirrje për formimin e një administrate gjithëpërfshirëse. Ai u takua në Ankara me presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen dhe i bëri thirrje Brukselit të mbështesë kthimin e sirianëve që ikën gjatë luftës civile 13-vjeçare.
Shtetet perëndimore po hapin gradualisht kanalet diplomatike për autoritetet e reja në Damask të udhëhequra nga grupi islamik Hayat Tahriral-Sham (HTS), megjithëse vazhdojnë ta cilësojnë grup terrorist.
Nga kaosi në Siri po përfiton Izraeli, ushtria e të cilit po vepron në zonën tampon të monitoruar nga OKB-janë Lartësive të Golanitqë i mban të pushtuara. Madje qeveria izraelite vendosi më 15 Dhjetor të dyfishojë popullsinë në këtë territor të pushtuar.
Udhëheqësi de fakto i Sirisë, Ahmadal-Sharaa, tha se Izraeli po përdor pretekste të rreme për të justifikuar sulmet ndaj Sirisë, por shtoi se nuk është i interesuar të përfshihet në konflikte të reja pasi vendi do të fokusohet në rindërtim.
Klan News