Nikolla Gruevski ndodhet në Hungari ku ka kërkuar strehim politik. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Brendshme maqedonase. Përmes një deklarate për shtyp, kjo ministri njoftoi se ka marrë përgjigjen e autoriteteve hungareze, të cilat pohuan se Gruevski ndodhej atje dhe se ka kërkuar azil politik.
Menjëherë pas përgjigjes nga pala hungareze, Gjykatës themelore të Shkupit, me kërkesë të Ministrisë së Brendshme, lëshoi urdhër-arresti ndërkombëtar për ish-kryeminsitrin maqedonas. Ishte vetë Gruevski që njoftoi përmes Facebook-ut arratisjen për në Hungari.
“Ditët e fundit kam marrë një numër të madh kërcënimesh me jetë. Unë jam në Budapest dhe kam kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze. Gjithmonë do t’i qëndroj besnik kauzës së Maqedonisë. Asnjëherë nuk do të kthehem mbrapa!”
Ish-lideri maqedonas njihet për një marrëdhënie të ngushtë më kryeministrin hungarez Viktor Orban. Ky i fundit u akuzua nga opozita në Hungari se po strehon një kriminel. Nikolla Gruevski u dënua me 2 vite burg nga Gjykata Penale e Shkupit, për abuzim me tenderat në kohën kur ishte kryeministër. Tashmë atij i mbetet si shpresë e vetme falja presidenciale nga Gjorge Ivanov.
Tv Klan