Një dekadë më parë, një krater misterioz u shfaq në Arktikun rus. Bëhej fjalë për një gropë disa metra të gjerë dhe të thellë. Rrethohej me copa të mëdha dheu dhe akulli, dëshmi e forcës së dhunshme që e krijoi atë.
Epo që prej vitit 2014 janë zbuluar më shumë se 20 kratere të tilla që kanë shpërthyer në zonën veriperëndimore të Siberisë, më saktësisht në Gjiret e Yamal-it dhe Gydan-it. Më i fundit u zbulua në Gusht.
Këto kritere kanë lënë në pikëpyetje shumë shkencëtarë, të cilët prej vitesh janë përpjekur të shpjegojnë se si u krijuan ato. Në tavolinë janë hedhur disa hipoteza, duke përfshirë edhe ato si për shembull nga një goditje meteori ose madje nga alienët.
Por tani, një ekip inxhinierësh, fizikantësh dhe shkencëtarësh kompjuterikë kanë nxjerrë një tjetër shpjegim. Gjetjet e tyre, të publikuara muajin e kaluar, sugjerojnë se bëhet fjalë për një përzierje të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit dhe gjeologjia e pazakontë e rajonit.
Shkencëtarët ishin në një mendje se krateret formohen kur gazrat e bllokuara nën tundra, duke përfshirë metanin, krijohen nën tokë, duke bërë që në sipërfaqe të duket si një tumë. Kur presioni tejkalon forcën e tokës sipër, shpërthen tuma, duke nxjerrë jashtë të gjitha gazrat.
Ajo që mund të debatohet ende janë mekanizmat specifikë se si ky presion ndërtohet dhe nga vjen gazi. Ana Morgado tha se ekipi i shkencëtarëve vendosi t’i qasej këtij misteri si një punë detektivësh.
Fillimisht duhet të zbulonin nëse shpërthimet kishin të bënin me ndonjë reaksion kimik. Por kjo u hodh poshtë shumë shpejt.
“Nuk kishte asnjë raportim të ndonjë gjëje të lidhur me djegie kimikale”, tha Morgado.
E kështu, duhej që të ishte ndodhi fizike, njësoj sikur fryn një gomë, tha ajo. Ajo që gjetën studiuesit ka të bëjë rreth gjeologjisë komplekse të kësaj pjese specifike të Siberisë.
Do të thotë që, poshtë tokës kishte një shtresë permafrosti, pra një grumbull dherash dhe gurësh të mbajtura sëbashku nga akulli. Poshtë kësaj ishte një shtresë me hidrate metani, një formë e fortë e metanit.
Mes këtyre dy shtresave të pazakonta, ndodhet një shtresë prej gati 1 metri, të një uji të kripur dhe të pangrirë, që quhet kriopeg. Si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe temperaturave më të ngrohta, shtresa e sipërme shkrin, duke bërë që uji të zbresë poshtë në shtresën e kriopegut.
Problemi është që nuk ka mjaftueshëm hapësirë për ujin shtesë, kështu që kriopegu fryhet dhe duke ushtruar presion shkakton çarje në sipërfaqe. Këto çarje shkaktojnë një rënie të shpejtë të presionit në thellësi, duke dëmtuar hidratet e metanit dhe duke shkaktuar një shpërthim të gazit.
Sipas studimit, që diçka e tillë të ndodhë, derisa të ndodhë shpërthimi mund të zgjasë edhe me dekada. Morgado u shpreh se procesi është shumë specifik për rajonin dhe ajo beson se ka zbuluar këtë mister në këtë pjesë të Arktikun.
Mirëpo disa shkencëtarë të tjerë nuk janë të sigurt se misteri është zgjidhur plotësisht.
Evgeny Chuvilin, shkencëtar në Institutin për Shkencë dhe Teknologji në Moskë, ka kaluar vite duke studiuar krateret. Ai hedh poshtë idenë se kjo ndodh për shkak të gjeologjisë së rajonit.
Permafrosti në veriperëndim në Siberi është i pazakontë për nivelet e larta të akullit dhe metanit, i tha ai CNN-it. Është shumë e vështirë për ujin në shtresën e lartë të tokës që të kalojë shtresën e trashë dhe me shumë densitet për të arritur kriopegun.
Gjetjet janë ende shumë të përgjithshme sipas tij dhe nuk japin përgjigje për kompleksitetin e rajonit, tha ai për CNN. Kërkimi i tij fokusohet tek metani që krijohet në nivelet e larta të permafrostit, para se presioni të rritet që në fund të shpërthejë. “Ka ende shumë për të bërë për të zgjidhur misteret se si ndodh ky proces”, tha ai.
Por ajo që shkencëtarët bien dakord më së shumti është që ndryshimi i klimës po luan një rol dhe mund të çojë në rritjen e këtyre shpërthimeve në të ardhmen. Ngrohja globale ndikon në forcën e gurëve të ngrirë nën akull, sipas Chuvilin. Kjo do ta bëjë më lehtë shpërthimin e gazeve nga poshtë, sipas tij.
Gjithsesi, shkencëtarët do t’i vazhdojnë kërkimet mbi këto fenomene për arsye sepse kuptimi më i mirë ndaj tyre mund të ndihmojë në parashikimin se ku mund të shfaqen në të ardhmen. Shumica ndodh në zona të shkreta, por ka frikë se mund të ndikojë në zona të banuara ose në zonat ku kërkohet naftë dhe gaz në rajon.
Për Morgadon, këto kratere janë prova se njerëzit po ndryshojnë klimën dhe destabilizojnë Tokën në mënyra të reja.
“Dhe po ndodh shpesh. Nuk bëhet fjalë për mijëvjeçarë më, por mund të ndodhin në dekadat e ardhshme”, tha Morgado./tvklan.al