Liverpool ka qenë shumë pak aktiv në këtë merkato vere. Pas ndryshimit të trajnerit, lëvizjet në ekip kanë qenë të pakta, me drejtuesit që duken të bindur me lojtarët që kanë.
Megjithatë anglezët po punojnë për të mbyllur transferimin e një portieri, që shihet si pasues i Alisson për vitet e ardhshme.
Bëhet fjalë për Giorgi Mamardashvili. Portieri gjeorgjian, i mahniti të gjithë në Europian, me paraqitjet e treguara, ku ishte një nga më të spikaturit.
23-vjeçari është pjesë e Valencias në Spanjë, por sezoni i ri mund ta shohë në Premier League në Angli.
Mediat në Spanjë, bëjnë më dije se Liverpool po përshpejton negociatat për transferimin e Mamardashvili për 30 milionë euro.
Plani i të kuqve është që ta transferojnë portierin në këtë merkato vere dhe ta huazojnë në Premier League, te skuadra e Bournemouth, në mënyrë që të përshtatet me kampionatin.
Te Liverpool janë të bindur se Alisson mund të ndihmojë ekipin edhe për një sezon dhe më pas të zëvendësohet nga shtatlarti gjeorgjian. Ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për këtë lëvizje. /tvklan.al