Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nga Mynihu shfrytëzoi konferencën e tij të parë për shtyp për të thënë se bisedimet e deritanishme me Trump nuk janë të mjaftueshme për të formuar një plan për paqen.
Para takimit me zv/presidentin amerikan JD Vance, ai u shpreh se Evropa do të bashkohet rreth mbrojtjes së Ukrainës për të mbrojtur veten.
“Në çdo rast, Evropa do të rrisë unitetin rreth Ukrainës pasi kjo është e rëndësishme. Po flas për të gjitha llojet e mbështetjes”, tha Zelensky.
Zelensky pranoi se Amerika e sotme dhe Presidenti Trump nuk janë gati të flasin për anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Ai theksoi se Kievi duhet të ketë një ushtri prej një milion e gjysmë ushtarësh me armë moderne nëse nuk bëhet anëtare e NATO-s.
“Nuk shoh që SHBA ka një plan gati. I thashë Presidentit Trump se jam gati të flas në çdo moment, nga kontigjenti i huaj deri te garancitë e sigurisë, për NATO-n. Ne jemi të gatshëm për të ndaluar Putinin. Ukraina ka nevojë për një prani serioze ushtarake, jo vetëm për misione paqeruajtëse”, tha Zelensky.
Moska ka deklaruar se nuk ka dërguar asnjë delegacion në Mynih, pavarësisht pretendimeve nga Presidenti Trump se zyrtarët amerikanë, ukrainas dhe rusë do të takohen.
Ndër të tjera, Presidenti Zelensky u shpreh se nevoja e Ukrainës për mbështetje mund të jetë edhe më urgjente, pasi Rusia mund të dërgojë deri në 3,000 trupa të tjera të Koresë së Veriut në front në rajonin e saj Kursk.
Nga ana tjetër, Uashingtoni ka paralajmëruar se mund të vendosë sanksione më të ashpra ndaj Moskës nëse Putini dështon të negociojë një marrëveshje paqeje në Ukrainë.
Klan News