Donald Trump është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Tashmë ka nisur të flitet për emrat e rinj që do të jenë pjesë e administratës.  Një prej  tyre është i Richard Grenell që e njeh mirë rajonin e Ballkanit.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Tv Klan, gazetari Blendi Fevziu tregon çfarë ndikimi do të kishte kjo për Shqipërinë. Fevziu shprehet se përtej raporteve të Grenell me rajonin dhe njohjes që ai ka për të, ky nuk do të jetë fokusi i presidentit Trump.

Duket se pikat më të rëndësishme do të jenë ato për të cilat aika lobuar gjatë fushatës, ndërsa sa për emrat e administratës nuk përjashtohet mundësia që të ketë surpriza.

Blendi Fevziu: Në rastin e Richard Grenell, do të ketë një prej posteve të rëndëisshme, deri tani është folur për Sekretar Shteti, është folur për këshilltar i Sigurisë Kombëtare që është një vend po aq i rëndësishëm në gjykimin tim, madje më afër presidentit se Sekretari i Shtetit. Natyrisht që do të keetë ndikim sepse Richard Grenell është një njohës i mirë i Shqipërisë, i Ballkanit, ka raporte shumë të mira me Shqipërinë, ka raporte të mira me Serbinë, ka raporte problematike me Kosovën për momentin, por gjithsesi është një njohës shumë i mirë i rajonit. Unë e kam takuar Grenell edhe gjatë verës në zonën e Sarandës ku po kalonte pushimet, kam biseduar me të për zgjedhjet që priteshin dhe ai ishte gati-gati optimist për rezultatin e Trump-it. Gjithsesi, një ardhje e Grenell është një njohje për Shqipërinë, njeri me njohje dhe nuk ka nevojë të ketë shumë përditësime për atë se çfarë pritet të ketë. Por gjithsesi kjo nuk do të varet shumë nga Grenell ose nga emrat qoftë Rubio, qoftë O’Brian, kjo do të varet shumë nga fokusi i  politikës së jashtme të Donald Trump. Unë nuk besoj që Shqipëria apo Ballkani do të jenë kaq në fokus të politikës së Donald Trump, edhe pse sot në Nju-Jork, në të gjitha mediat dhe shtypi amerikan është i fokusuar te përzgjedhjet që ai do të bëjë.

Përzgjedhja e Sekretarit të Shtetit nuk është më e rëndësishmja për amerikanët. Për amerikanët më të rëndësishmet janë politikat ekonomike dhe sidomos raporti që ai do të mbajë me taksimin, raporti me abortin dhe sidomos emigrantët ilegalë kështu që fokusi kryesor është aty. Zakonisht ajo që bie në sy është që politika është e pamëshirshme, e harroi Kamala Harris, e harroi presidentin në detyrë dhe i gjithë fokusi është tani te Trump. Sapo kalova në Trump Tower ku ka një përqendrim të mediave thjesht për të raportuar me sfondin e Trump Tower në shpinë. Gjithçka tani është fokusuar te Trump. Një gjë duhet thënë, që e thonë edhe komentatorët që administrata e tranzicionit, e Trump tani është shumë më e përgatitur se administrata e tranzionit Trump 2016, fitorja e të cilit ishte befasuese, e papritur, jashtë strukturave të Partisë Republikane dhe ai e pati të vështirë të krijojë një staf, gjë që u reflektua me largimet e menjëhershme kohë pas kohe. Aktualisht Trump është më i përgatitur, duket se e ka në kokë një strukturë të adminstratës së tij megjithatë Trump është njeri i të papriturave dhe deri në momentin e fundit mund të marrë vendime të çuditshme.

Politikat e jashtme dhe zgjidhja e konflikteve ka qenë një nga pikat e fokusit të Trump, megjithatë Fevziu shprehet se nuk ka asnjë konkretizim sesi do të ndodhë. Dy zonat e nxehta të luftës, Ukraina dhe Lindja e Mesme duket se tashmë shpresojnë për ndryshim. Sipas Fevziut, pritet që të ndryshojë fokusi lidhur me Kinën që krahasuar me mandatin e mëparshëm, nuk do të ketë të njëjtën vëmendje.

Blendi Fevziu: Problemi kryesor është që Trump ka premtuar që do të mbyllë luftën e Ukrainës në një kohë shumë të shpejtë. Pra ka bërë premtime të ndryshme për një kohë të shpejtë, sesi do ta mbyllë këtë është shumë e vështirë të thuhet sepse ai nuk ka dhënë një plan konkret, thjesht ka thënë që do ta mbyll luftën e Ukrainës shpejt. Po të vësh re, edhe postimet e Zelensky dy ditët e fundit janë gati-gati një dorëzim përpara Trump, edhe pse ai natyrisht që pretendon administratën Biden. Biden po mundohet të shpejtojë ndihmën për Ukrainën pa hyrë Trump në Shtëpinë e Bardhë, në Zyrën Ovale. Ky është premtimi i parë i Trump. Problemi i dytë është Lindja e Mesme ku ai ka një raport shumë të mirë me kryeministrin Netanyahu, por nga ana tjetër ka ngjallur edhe shpresën e arabëve që do të jetë një njeri që do të çojë  në paqe. Sesi do ta bëjë këtë, është prapë e vështirë të thuhet. Këto janë dy pikat më të nxehta. Nga ana tjetër, në politikën e jashtme edhe në vitet 2016-2020, Trump ka qenë i fokusuar te reduktimi i influencës dhe fuqisë ekonomike kineze dhe ndikimit të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kina ka qenë fokusi kryesor i Trump, nuk e di sa do të jetë në këtë mandat, këto mbeten për t’u parë sepse ai tani përballet me dy ngjarje që nuk ishin në 2016 siç është lufta e Ukrainës dhe lufta në Lindjen e Mesme, midis Izraelit e Hamasit. Jemi në një moment kur do të ketë prioritete të tjera në raport me Kinën.

Fevziu përmendi se nuk duhet harruar që me marrjen e detyrës dhe hyrjen në Zyrën Ovale, qasja ndaj deklaratave ndryshon si rrjedhojë e ndikimit nga faktorë të jashtëm. Gazetari përshkroi edhe panoramën e përgjithshme dy ditë pas zgjedhjeve.

Blendi Fevziu: Nuk ka fare tension, madje unë çuditem sesi amerikanët që kam takuar më thonë se kishin frikë para zgjedhjeve, diçka do të ndodhte, mendonin se do të kishte përplasje, trazira, përplasje sociale. Është Amerika më e qetë, e përditshme. Mund të shihni pas shpinës sime, Rockefeller Center, një nga pjesët ikonike të Nju-Jorkut, turistë, amerikanë, çdo gjë është e qetë. Një gjë më bën përshtypje, dëgjova deklaratën e Biden që tha ne po lëmë vendin më të fuqishëm ekonomik. Në fakt, siç bëjnë deklaratat politike, nuk përputhet me perceptimin e përgjithshëm, njerëzit janë të shqetësuar për situatën ekonomike dhe ekonomia ka qenë decizive në fitoren e Trump. Amerikanët mendojnë që çmimet janë më të larta, ekonomia është më e vështirë dhe janë më keq se përpara 4 vjetësh. Këto kanë qenë decizive për zgjedhjen e Trump.

Vetëm pak minuta na ndajnë nga emisioni “Opinion” i cili të enjteve nis transmetimin në orën 21:00 dhe Blendi Fevziu zbulon çfarë do të shohim sonte.

Blendi Fevziu: Sot kemi dy gjëra që lidhen me Amerikën, kam një intervistë me Belind Këlliçin i cili ka ndjekur nga afër zgjedhjet amerikane dhe ka qenë madje para ca kohësh, ai publikoi edhe një foto me Trump dhe një raportim drejtpërdrejt nga Trump Tower që ishte vendi ikonik që e solli Trump në qendër të vëmendjes para se ai të futej në politikë, në vitet 70-80. Ndërkohë korpusi kryesor i emisionit, në orën 21:00 nis me një prej intervistave më interesante që kam zhvilluar ndonjëherë në jetën time me Monsignor Vincenzo Paglia, njëri prej eminencave gri të Vatikanit, kreu i Sant’ Egidio. Njeriu që takoi Papa Gjon Palin II me Gorbaçovin që organizoi takimin e tyre, njeriu që mori Rugovën nga Milosheviçi kur Millosheviçi e mbante peng dhe e çoi në Romë, njeriu i parë i Vatikanit që hyri në Shqipëri, takoi Ramiz Alinë i veshur si prift dhe e bindi të hapë kishat, njeriu që negocioi marrëveshjen për arsimin në Kosovë mes Millosheviçit dhe Ibrahim Rugovës, një njohës i shkëlqyer i Shqipërisë, njeri që ka pasur miqësi me Nënë Terezën dhe një prej njerëzve më të afërt të të gjithë Papëve që kanë drejtuar Vatikanit. Është intervista e parë në jetën e tij që ai jep për median shqiptare dhe është e jashtëzakonshme./tvklan.al