Kastriot Islami: “Mesazhi i dytë lidhet me faktin, që shqiptarët duhet të jenë të qetë, të sigurt për shprehjen e vullnetit të tyre të lirë. Pra për ta hedhur votën e tyre të sigurt në kutitë e votimit dhe për këtë PS  ka marrë të gjitha masat, jo vetëm që ata ta shprehin lirisht votën e tyre, por vota e tyre të jetë e sigurt në kutitë e votimit dhe të numërohet e sigurt në funksion të arritjes së këtyre standardeve ndërkombëtare. Më konkretisht do thoja janë marrë të gjitha masat për të monitoruar procesin në të gjithë qendrat e votimit. Në mënyrë të veçantë do të monitorohen nga afër me të gjithë teknologjinë moderne, përveç asaj të medias elektronike ku ka probleme. E dyta dhe shumë e rëndësishme, nëpërmjet këtyre mekanizmave do të monitorohen dhe do të regjistrohen të gjithë veprimet e paligjshme dhe të gjithë kërcënimet që mund t’ju bëhen qytetarëve në ditën e sotme të votimit. Po kështu jo vetëm pranë qendrave të votimit, por edhe në mjediset rrotull ku mund të mendohet të kryhen nga manipulimet më të ndryshme. Janë marrë masa për të monitoruar procesin me teknologji po kështu moderne. Metoda të thjeshta të monitorimit të këtij procesi janë marrë në zonat rurale, ndërkohë që teknologji moderne do të zbatohen dhe do të përdoren në të gjithë qytetet dhe në zonat urbane. Po kështu do të monitorohen të gjithë lëvizjet e makinave pa targa apo me targa të dyshimta, të cilët mund të interferojnë në procesin zgjedhor. Gjithashtu njerëz të dyshimtë apo me precedentë negativ, deri tek ndoshta persona që kanë dal nga burgjet  për të marrë pjesë në mënyrë jo të rregullt  në këto votime do të jenë tërësisht të monitoruar dhe të regjistruar. Përsa i përket procesit të votimit për të realizuar me efikasitet dhe zbatuar kodin zgjedhor, numërues mekanik është në duart e të gjithë vëzhguesve të PS jashtë qendrave të votimit. Pra për të përputhur sa më mirë numrin e votuesve me fletët e votimit dhe realizuar pra një proces zgjedhor të ndershëm. Po kështu pajisje speciale janë në duart e të gjithë vëzhguesve socialist.”/tvklan.al