Në Turqi janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit në një kohë që ka filluar numërimi i votave.
Qendrat u hapën sot në orën 7 të mëngjesit dhe u mbyllën në orën 16.00. Për Turqinë, zgjedhjet e sotme kanë shënuar një bilanc të rëndë viktimash e të plagosurish.
Të paktën 6 persona kanë humbur jetën e rreth 100 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e dhunës ndërmjet kandidatëve dhe mbështetësve të tyre, në 7 provinca.
Mediat e huaja si CNN dhe Reuters flasin për të paktën pesë të vdekur e mbi 50 tw plagosur. Në fshatin e vogël të Akzijaret një person është vrarë dhe 12 të tjerë janë plagosur gjatë kohës që militantët përlesheshin me njëri-tjetrin.
Një ngjarje e ngjashme ka ndodhur edhe në qytetin Suruk, ku të paktën 15 persona janë plagosur si pasojë e shkëmbimeve të zjarrit.
Po ashtu në qytetin Lise janë vrarë dy në një kohë që numërohen të paktën 10 të plagosur.
Viktima e të plagosur ka edhe në Kagizman, Ercek, Incesu dhe Agri. Në këto zgjedhje numërohen mbi 48 milionë votues.
Rezultatet paraprake flasin për një fitore solide e të bindshme të partisë AKP të kryeministrit Taip Erdogan, megjithatë shumë ekspertë mendojnë se kriza ekonomike që ka përfshirë vendin ka pasur ndikimet e veta në humbjen e besimit në popull./tvklan.al