Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se politikat e tij do të “përmbysen” me dhunë nëse demokratët fitojnë zgjedhjet afatmesme të Nëntorit.
Ai u tha krerëve ungjillorë se votimi ishte një “referendum” mbi lirinë e fjalës dhe fesë dhe se këto ishin të kërcënuara nga “njerëz të dhunshëm”.
Trump u bëri thirrje grupeve të krishtera konservatore për ndihmë, duke thënë se ata ishin një votë larg nga “humbja e gjithçkaje”.
Zgjedhjet afatmesme janë parë gjerësisht si një testim mbi popullaritetin e presidentit. Trump ka luftuar me publicitet negativ pasi dy ish-ndihmës janë dënuar më parë këtë muaj.
Një regjistrim audio nga takimi me dyer të mbyllura të Trump me udhëheqësit ungjillorë në Shtëpinë e Bardhë u zbulua nga mediat amerikane.
Gjatë takimit, Trump tha se zgjedhjet afatmesme nuk ishin vetëm një referendum mbi të, por edhe
“mbi fenë tuaj, është një referendum mbi fjalën e lirë dhe Amendamentin e Parë (që garanton liritë themelore)”.
“Nuk është çështje pëlqimi apo mospëlqimi, është çështja se ata do të përmbysin gjithçka ne kemi bëre dhe do ta bëjnë shumë shpejt dhe me dhunë. Do të ketë dhunë. Shikoni Antifën, ata janë të dhunshëm”
, tha ai.
Antifa- shkurtim për antifashiste, i referohet grupeve të protestuesve të ekstremit të majtë të cilët luftojnë kundër ideologjisë së ekstremit të djathtë dhe ndeshen rregullisht me mbështetësit e ekstremit të djathtë.
Presidenti amerikan ka kritikuar më parë grupet e krahut të majtë, duke thënë me keq që kishte pasur dhunë në “shumë anë” pasi një nacionalist i bardhë vrau një demonstrues të krahut të majtë në një protestë nacionaliste në Charlottesville vitin e kaluar.
Zgjedhjet e vitit 2018 të Shteteve të Bashkuara do të mbahen të martën, më 6 nëntor 2018. Këto zgjedhje afatmesme do të zhvillohen në mes të mandatit të parë të presidentit republikan Donald Trump. Të gjitha 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe 35 nga 100 vendet në Senatin e Shteteve të Bashkuara do të jenë në garë./tvklan.al