Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, iu është drejtuar sot me një mesazh sensibilizues votuesve nga Diaspora për regjistrimin në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

“Përgjatë tre dekadave të fundit, emigrimi është bërë një faktor dhe burim i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë. Të vendosur në vendet fqinje, Itali dhe Greqi, në vendet e tjera të Bashkimit Europian, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada e gjetkë, emigrantët shqiptarë shquhen për punën e tyre të palodhur, për integrimin e shpejtë, për marrëdhëniet e ngushta, miqësore e njerëzore me popullsitë vendase si edhe me institucionet në vendet pritëse”, shprehet Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit i ka bërë thirrje emigrantëve që të regjistrohen në Platformën Elektronike të Regjistrimit në mënyrë që të ushtrojnë të drejtën e tyre në zgjedhje.

“Motra e vëllezër emigrantë, regjistrohuni për të votuar, në mënyrë që të ushtroni të drejtën dhe ndikimin tuaj në vendimmarrjet për punët tona të përbashkëta, që Shqipëria jonë të afrohet sa më shpejt me standardet e vendeve perëndimore ku jetoni. Shqipëria ka nevojë jo vetëm për dërgesat tuaja, por edhe për votën tuaj”, tha Spiropali.

Kujtojmë se nga sot nis regjistrimi i diasporës për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 Majit./tvklan.al