Në ditën ndërkombëtare të zgjedhjeve, ambasadori i OSBE në Tiranë i kërkon shqiptarëve që nëse duan zgjedhje të lira t’iu kërkojnë këtë politikanëve të tyre, të cilët i bën përgjegjës për zvarritjen e punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe mos përfshirjen e rekomandimeve të OSBE/ ODIRI-t në ligjin elektoral.
Bernd Borchardt, ambasadori i OSBE:
Ekziston një opinion i përgjithshëm se OSBE-ja dhe ndërkombëtarët janë këtu për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jo! Nëse doni zgjedhje të lira e të ndershme kërkojuani partive politike që të punojnë për to. E kanë ata në dorë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme – me mënyrën si mbledhin fonde, me mënyrën si bëjnë fushatë, me kandidatët që vënë në lista, me personat që zgjedhin si komisionerë dhe me mënyrën si numërojnë votat. Ka ende kohë për të forcuar kodin zgjedhor, por tik-taku ecën. Por, ne nuk mund ta bëjmë reformën për ju! E keni ju në dorë që të përfshiheni, të angazhoheni, të bashkoheni dhe ta kërkoni.
Ambasadori Borchardt iu përgjigj dhe akuzave që thotë se janë bërë në adresë të misionit që ai drejton, ndërsa komenton dhe kushtin e opozitës për të bërë zgjedhje me votim dhe numrin elektronik në 18 qershor.
Bernd Borchardt, ambasadori i OSBE:
Kohët e fundit, është drejtuar gishti nga OSBE-ja për dështimin e procesit të reformës zgjedhore, por a i keni pyetur udhëheqësit tuaj përse reforma nuk ka ecur më përpara? Vërtet besoni se e vetmja mënyrë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme është futja e votimit dhe numërimit elektronik teknikisht të brishtë? Lexova në lajmet ndërkombëtare se Holanda po i kthehet numërimit të votave me dorë për të ruajtur besimin te zgjedhjet.
Komentet ambasadori Borchardt i bëri në Konferencën Ndërkombëtare “Në Populli; Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejt”, organizuar nga koalicioni i vëzhgueseve vendor./ TV KLAN