Sot kosovarët u janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur 120 deputetët e rinj të Kuvendit. Qendrat e votimit janë hapur që nga ora 7:00 e mëngjesit. Në ndryshim nga zgjedhjet e kaluara, deputetët do të kenë një mandat 4-vjeçar dhe jo 3-vjeçar si deri më tani. Këto janë zgjedhjet e dyta parlamentare në Kosovë dhe të parat që do të menaxhohen nga sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i përbërë nga vendorët.
Mes 33 subjekteve politike të regjistruara janë dhe dy subjekte serbe. Përfaqësia e OSBE-së ka bërë të ditur se numri i personave që janë regjistruar për të votuar është 1.3 mln. Organizimi i zgjedhjeve parlamentare do të kushtojë 10 mln euro. Gjysma e kësaj shume është marrë nga buxheti i Kosovës, ndërsa pjesa tjetër është dhuratë e OSBE-së.
Brukseli është shprehur optimist se këto zgjedhje do të jenë të lira dhe demokratike ashtu siç pritet nga komuniteti ndërkombëtar. Parlamenti Evropian ka dërguar një grup të posaçëm të kryesuar nga kryetare e delegacionit europarlamentar për Evropën Juglindore Doris Pack për të mbikqyrur mbarëvajtjen e votimeve. Delegacioni në përbërje të tij do të ketë dhe deputetë nga shtetet e reja anëtare të BE-së./tvklan.al