Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në mesnatë ka përfunduar procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës.
“Sipas të dhënave preliminare, numri i shtetasve të Kosovës që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës në periudhën 29 Gusht – 26 Dhjetor 2024, deri në orën 23:59 është 90.860, ndërkaq numri i aplikimeve që janë në shqyrtim është 18.244”, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi bëri të ditur se shqyrtimi i aplikimeve të pranuara do të vazhdojë edhe gjatë 27 Dhjetorit dhe më pas KQZ-ja do të ketë një raport përfundimtar për numrin e qytetarëve të Kosovës të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.
Më 26 Dhjetor, partia në pushtet “Lëvizja Vetëvendosje” tha se synonte që të zgjaste periudhën e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës deri të dielën. Por, mbledhja e KQZ-së dështoi për shkak se në të nuk morën pjesë përfaqësuesit e partive opozitare.
Kosova do të mbajë zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 Shkurt 2025. Në këto zgjedhje, shtetasit e Kosovës jashtë vendit do të mund të votojnë edhe në ambasada dhe konsullata të Kosovës.
Më herët gjatë Dhjetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se do të jenë 22 kuti postare në 22 shtete të ndryshme ku pjesëtarët e diasporës do të mund të votojnë. Ndërkaq, votimi fizik do të organizohet në 35 përfaqësi diplomatike dhe konsullore në 22 shtete.
Diaspora e Kosovës është e përqendruar kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vende të tjera të Evropës. Në regjistrimin e fundit të popullsisë për herë të parë janë përfshirë edhe shtetasit e Kosovës që jetojnë në diasporë dhe sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ata janë rreth 550.000 persona.
Zgjedhjet e 9 Shkurtit do të jetë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008./REL