Nga sot ka nisur periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës, të cilët janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi.
Nga data 9 Janar deri më 8 Shkurt mund të votojnë vetëm shtetasit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe që gjatë regjistrimit janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit:
-duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo
-duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Nga 104.924 votues që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, 84.525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës.
67.421 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, kurse 17.104 do ta dërgojnë pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Ndërsa shtetasit e Kosovës, të cilët janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës, njoftohen se procesi i votimit do të mbahet më 8 Shkurt 2025.
Tv Klan