Zëdhënësi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Valmir Elezi në një prononcim për gazetarën e Tv Klan, Blerta Dalloshi Berisha ka dhënë detaje të fundit lidhur me procesin e votimit.

Elezi është shprehur se përditësimet përfundimtare lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në votime do të jepen në orën 19:00.

Valmir Elezi: Do të thotë përditësimet që bëhen nga KQZ në tre orare, në fund në orën 19 dhe për aq vendvotime që vijnë nga tereni ato përditësohen në faqen e KQZ. Në kohën kur ne kemi dhënë në konferencën e kaluar e kemi bërë si një rregull të pashkruar që t’i shfaqim rezultatet e pjesëmarrjes qoftë edhe duke pasur të dhëna nga 90% e vendvotimeve. Të dhënat tjera do t’i kemi në orën 19 sepse në atë orë zyrtarët që kemi aty do të marrin konfirmimet nga mbyllja e vendvotimeve dhe pjesëmarrjen do ta ngarkojmë në web faqe.

Gjatë gjithë ditës ne kemi pasur komunikim të vazhdueshëm dhe çka mund të themi deri më tani është që procesi zgjedhor është zhvilluar normalisht pa ndonjë pengesë dhe në rastet kur ka pasur ndonjë paqartësi apo është paraqitur ndonjë sfidë ne kemi ndërhyrë dhe brenda një kohe të shpejtë jemi munduar ta rregullojmë.

Ndërkohë procesi i votimit vijon të jetë pa probleme, ndërkohë sa i takon raportimeve për mungesë të fletëve të votimit në komunën e Zveçanit, Elezi u shpreh se kjo ka ndodhur për shkak të votimit me kusht gjë e cila nuk mund të llogaritet numri i votuesve në atë qendër votimi. Sipas tij problem është zgjidhur menjëherë me ndërhyrjen e KQZ.

“Votimi me kusht është një mundësi nga ana e KQZ ekstra nga votimi i rregullt që ofrohet në vendvotimet e rregullta. Për ta sqaruar në përgjithësi në Kosovë numri i qendrave të votimit që ofron votim të rregullt për qytetarët ku çdo qytetar është caktuar në një qendër votimi është 941 ndërkohë numri i qendrave për votim të rregullt është 903 megjithëse 2533 vendvotime. Ndërkaq për të mundësuar votimin e qytetarëve që gjatë ditës nuk mund të shkojnë në vendvotimet e tyre KQZ ka caktuar 33 qendra të votimit nga një për çdo komunë të vendosura në zona urbane dhe ato kanë ofruar gjatë ditës këtë lloj votimi.

Natyrisht ky lloj votimi nuk mund të jetë i parashikueshëm sepse teorikisht në një qendër votimi mund të votojnë qytetarë nga e gjithë Kosova. Pra në rrethana të tilla është paraqitur edhe sfida ku në një qendër votimi me kusht në komunën që përmendët kanë munguar në një kohë të caktuar fletë votime se ata janë përdorur nga votuesit që janë paraqitur”, shprehet Elezi.

Ndërkohë sa i takon votës së diasporës Elezi u shpreh se pjesëmarrja ka qenë 75%, vota të cilat do të verifikohen dhe numërohen këto ditë.

Kujtojmë se rreth 2 milionë shtetas me të drejtë vote në Kosovë kanë të drejtë të zgjedhin se kush do t’i udhëheqë për katër vitet e ardhshme./tvklan.al