Zgjedhjet në Tiranë do të ripërsëriten në 118 qëndra votimi dhe jo në 130 siç është thënë deri tani. Reduktimi i numrit u bë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zbardhi tërësisht vendimin e Kolegjit Zgjedhor, të cilin e shpjegon zëdhënësi i saj Erton Sinani.
Erton Sinani: “Komisioni Qëndor i Zgjedhjeve vëren se numri përfundimtar i qëndrave të votimit ku do të përsëriten zgjedhjet është 118, pasi vendimi i kolegjit ka 11 raste qëndrash votimi, numri i së cilave shfaqet dy herë në vendim, ndërsa një qëndër votimi nuk i përket njësisë zgjedhore të Bashkisë Tiranë, por komunës Zall-Bastar, që nuk ka asnjë lidhje me këtë proces zgjedhor”.
Në një mbledhje të ardhshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të trajtohet kërkesa e Partisë Demokratike për ndryshim të listave të zgjedhësve, ku do të vendosë për personat që nuk kanë votuar, por duke iu përmbajtur Kodit Zgjedhor. Komisioni Qëndor i Zgjedhjeve nga ana e tij do të disponojë të njëjtën procedurë për verifikimin e emrave nëpër lista, do të vihet në dispozicion po ai numër telefoni , qytetarët do të shkojnë të shohin emrin e tyre në lista dhe me anë të internetit. Gjithashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të rishikojë KZQV-në e Tiranës nëse do të jetë në gjendje të përballojë me sukses nxjerrjen e rezultatit./tvklan.al