Edhe pse një javë më parë fituan betejën për të marrë dëmshpërblimin e banesave të dëmtuara nga shpërthimet e kompanisë Bankers Petrolium, lufta për banorët e Zharrzës nuk ka mbaruar këtu. Më e rëndësishme se çdo gjë për ta sot, është jeta dhe shëndeti.
Banorët vuajnë nga sëmundje që lidhen me ndotjen duke filluar nga karboni në gjak e deri te diagnoza të tjera më të rënda. Çdo natë në Zharrëz dhe fshatrat përreth ajri bëhet i rëndë nga shkarkimi i gazit që Bankers Petroleum çliron nga puset e naftës.
Tokat bujqësore ndoten nga derdhja e mbetjeve të naftës, të cilat Bankers i hedh të papërpunuara në mjedis.
Era e rëndë e gazit dhe mbetjeve të naftës mbërrin deri në tubacionet e ujit të pijshëm. Banorët thonë se janë të detyruar ta konsumojnë atë megjithëse është i ndotur. Rehabilitimi i mjedisit ishte një nga kërkesat që banorët bënë gjatë protestës së tyre në Tiranë, por deri më sot nuk ka asnjë raport zyrtar për nivelin e ndotjes në këtë zonë.
Televizioni Klan do të publikojë se shpejti përgjigjet e analizave laboratorike për nivelin e ndotjes në ujë ajër dhe tokat bujqësore në këtë zonë. / TV KLAN