Prej 3 ditësh një fëmijë 3 vjeç është deklaruar i humbur në policinë e Durrësit nga nëna e tij 23-vjeçare. E reja prej rreth 1 viti kishte humbur bashkëshortin në një aksident rrugor dhe që prej atëherë çdo fundjavë djalin e tyre e dërgonte për disa orë tek banesa e vjehrrit dhe vjehrrës së saj.

Por kësaj here, kur e reja është kthyer për të marrë fëmijën e saj, ata nuk ia kanë kthyer më. E vënë në këtë situatë, 23-vjeçarja i është drejtuar policisë, ku ka kallëzuar vjehrrin e saj Rexhep Gjuni.

Me këtë denoncim uniformat blu kanë zbarkuar në banesën e gjyshit të fëmijës, kanë ushtruar kontroll në banesën e 60-vjeçarit, por nuk e kanë gjetur të miturin.

Krahas tij, në banesë nuk është gjetur as gjyshja. Në këto kushte policia ka nisur hetim në gjende të lirë për Rexhep Gjunin, ndaj të cilit është referuar vepra penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”.

Në deklarimet e tij vetë 60-vjeçari mësohet se ka qenë kontradiktor. Ndërsa nëna e 3-vjeçarit përpara mediave ka deklaruar se nuk e ka penguar kurrë fëmijën të shkonte ke gjyshërit dhe kërkuar nga policia gjetjen e tij.

Burime pranë grupit hetimor i thanë Tv Klan se janë ushtruar rreth 40 kontrolle banesash për gjetjen e fëmijës së mitur, por deri tani asnjë gjurmë prej tij.

Tv Klan