Në ditën kur do të festonte ditëlindjen e vajzës së tij 9-vjeçare, biznesmeni Genci Habazaj nga Vlora është vrarë dhe më pas është djegur  në fushat djerrë të fshatit Povelç, 18 kilometra larg qytetit të Fierit. 39-vjeçari kishte pak kohë që ishte kthyer nga Italia, ku jetonte dhe ushtronte aktivitetin e tij si biznesmen ndërtimi.

Që prej së premtes në mbrëmje ai humbi çdo kontakt me familjarët, të cilëve u kishte komunikuar se pasi të merrte vajzën e tij që ndodhej te të afërmit në Elbasan do të nisej serish drejt Italisë.

Ornela Hila: “Nga kjo derë ka dalë pasditen e së premtes rreth orës 20 biznesmeni Genci Habazaj. Ai pas një telefonate të marrë ka dal nga shtëpia pa dhënë asnjë informacion se ku do të shkonte. I veshur causal me rrobat e shtëpisë ai ka lënë nënë e tij në këtë banesë.”

Telefonata që Habazaj pati para se të dilte nga shtëpia me kushëririn e tij duket të jetë dhe telefonata e tij e fundit. Pas asaj, askush nuk ka dëgjuar më për të. Familjarët kanë tentuar të komunikojnë disa herë, por telefoni ka qenë i fikur.

Kufoma e 39-vjeçarit u gjet nga disa barinj të zonës, të cilët që prej dy ditësh kishin ndjerë një erë të rëndë gjatë kullotjes së bagëtive. Kjo i ka çuar ekspertët të dyshojnë se Habazaj u ekzekutua jo më vonë se 24 orë pas rrëmbimit.

Saimir Koçiu: “Më datë 31.09.2009 rreth orës 19:00, policia ka marrë një informacion për gjetjen e një kufome në fshatin Darzezë të rrethit Fier. Ku nga bashkëpunimi i ngushtë me drejtorinë e policisë së qarkut Fier, me prokurorinë nga ana e grupit hetimor pas kryerjes së veprimeve procedurale si këqyrja e kufomës, paraqitja për njohje nga ana e familjarëve është bërë e mundur identifikimi i kufomës që i përket shtetasit Genci Habazaj.”

Ekspertiza në qendrën e mjekësisë ligjore në Tiranë vërtetoi se Habazaj kishte dëmtime të rënda në fytyrë dhe në trup. Ai u identifikua nga familjarët në sajë të flokëve dhe varëses që mbante në qafë. Hetimet e policisë janë përqendruar tashmë në ndoshta konflikte të hershme të biznesmenit, ose çështje të tjera që nuk kanë lidhje me aktivitetin e tij privat./tvklan.al

Gazetare: Ornela Hila