Lajme Arkiva 2003

Një alternativë e besueshme politike në luftën e Shqipërisë për ndryshim. Me këtë motiv eurosocialistët shqiptarë kanë hapur kongresin e tyre të 5, ku pritet të rizgjidhet kryetari i tyre aktual Gjergji Koja. Për pushtetin e socialistëve të rinj në radhët e anëtarësisë së forcës më të madhe qeverisëse është i bindur edhe  kryeministri Fatos Nano.

Në fjalën e tij përshëndetëse zoti Nano ka deklaruar i sigurt se bashkëpunimi me FRESSH-in do ti çojë socialistët në fitoren e zgjedhjeve lokale për të shkuar më pas në kongresi e dhjetorit.

Fatos Nano: Pas kongresit tuaj ne do të nisim fushatën konkurruese dhe fituese për zgjedhjet vendore. Për këtë arsye dhe për faktin se jemi përkrah me ju siç kemi qenë për gjithë këto vite ne jemi të bindur se do të fitojmë. Pas kësaj do të shkojmë natyrshëm në kongresin e gjashtë të Partisë Socialiste me të cilin do të rishfaqim dhe njëherë nivele të reja të reformimit europianizues të gjithë partisë.

Edhe kryetari Gjergji Koja ka theksuar ndikimin e freshistëve në çdo proces elektoral të fituar nga Partia Socialiste duke kërkuar një hapësirë më të madhe për eurosocialistët në kandidaturat që do të përfaqësojnë mazhorancën në zgjedhjet lokale.

Gjergji Koja: E parë në këtë prizëm bashkëpunimi i ngushtë dhe mjaft i mirë i strukturave të PS dhe FRESH mbetet një faktor determinant dhe absolutisht i rëndësishëm në fitoren e zgjedhjeve të vështira për pushtetit vendor që do të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

Në platformën e kësaj organizate politike zoti Koja ka theksuar si dy momente të rëndësishme iniciativën e FRESH për liberalizimin e universiteteve dhe  legalizimini e banesave në Tiranë dhe Durrës. Sipas kojes ishin eurosocialistët që 5 muaj më parë u deklaruan qartë për këtë nisëm si një mbajtje premtimesh që vetë socialistët u kanë bërë këtyre familjeve./tvklan.al