Pak ditë pas dëmtimit të Dushan Vlahoviçit në kombëtare që e lë Thiago Motta-n pa një bomber në sulm për ndeshjet kundër Milanit dhe ndoshta Aston Villas, te bardhezinjtë është afruar një i njohur i vjetër i ish-trajnerit të Bolonjës, Joshua Zirkzee.

Sipas “Sportmediaset”, sulmuesi holandez që luan te Manchester United, u ka kërkuar menaxherëve të tij që ta rikthejnë në Serie A, ndërsa preferenca e tij është “Zonja e vjetër”.

Në Premier League ai ka realizuar vetëm një gol, atë kundër Fulhamit në nisje të sezonit, e më pas është bllokuar. Lojtari nuk u preferua as nga ish-tekniku Erik ten Hag, e duket se as Ruben Amorim nuk e ka në planet e tij.

Dëshira e Zirkzee është që në merkaton e dimrit të transferohet sërish në kampionatin italian, që ai e njeh mirë dhe ka lënë shenjë. Juvja e ka ndjekur prej kohësh dhe në verë nuk arriti të firmoste për shkak të vlerës së lartë të holandezit. Por tani, situata është në favor të bardhezinjve.

Zikzee e njeh shumë mirë futbollin e Thiago Motta-s dhe trajneri do të ishte i lumtur ta përqafonte sërish. Holandezi mund të jetë alternativa e Vlahoviçit ose të luajë së bashku me sulmuesin serb në ofensivë.

Alternativa e lojtarit te United do të ishte Giacomo Raspadori, por Napoli vështirë që të pranojë të forcojë një konkurrent të drejtpërdrejtë në kampionat.

Klan News