Skena apokalipsi në një pjesë të madhe të Los Anxhelosit. Gjashtë zjarre të mëdha janë përhapur në orët e fundit, në të gjithë vendin si dhe në qarkun fqinj Ventura, duke shkrumbuar çdo gjë.
Më shumë se 7,500 personel zjarrfikës janë në terren duke punuar me partnerët lokalë dhe federalë për t’ju përgjigjur zjarreve katastrofike të Kalifornisë. Gurvenatori i Kalifornisë Gavin Newsom u ka bërë thirrje banorëve të pranojnë menjëherë evakuimin.
Sipas autoriteteve, pesë persona janë konfirmuar të vdekur dhe mbi 137 mijë njerëz janë evakuar. Zjarri i fundit në Hollywood Hills ka detyruar shumë njerëz të evakuohen, duke përfshirë zonat ku qëndrojnë edhe yjet e famshëm.
Më shumë se 1000 godina janë shkatërruar rreth Los Anxhelosit. Në mesin e shtëpive të djegura janë edhe banesat e aktorëve të Hollivudit, Leighton Meester dhe Adam Brody.
Dëmet më të mëdha janë në Palisades të Paqësorit, ku zjarret e fuqishme kanë djegur qindra mijëra hektarë. Autoritetet i kanë cilësuar zjarret më të rëndat në dekadat e fundit. Zjarrfikësit në Los Anxhelos po përballen edhe me mungesën e ujit për shuarjen e flakëve.
Presidenti Joe Biden shpalli gjendjen e emergjencës për Kaliforninë, në bazë të së cilës do të autorizohen fonde dhe burime për të luftuar zjarret.
“Jemi të përgatitur të bëjmë gjithçka dhe për aq kohë sa duhet, për të kontrolluar këto zjarre dhe për të ndihmuar në rindërtimin dhe për t’u siguruar që të kthehemi në normalitet. Do të jetë një rrugë e gjatë”, tha Jo Biden.
Departamenti amerikan i Mbrojtjes bëri të ditur se do të punojë për të siguruar personel dhe kapacitete shtesë zjarrfikëse.
Ndërkaq, Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka kritikuar guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom, duke thënë se ai ishte fajtori për zjarret dhe se duhet të japë dorëheqjen.
“Ky është i gjithë faji i tij”, shkruajti ai në një postim në Truth Social, ndërsa i cilësoi zjarret apokaliptike. Nga ana tjetër si kundërpërgjigje, Newsom akuzoi Trump për politizim të situatës.
Deri më tani zjarret në Kaliforni kanë shkaktuar 57 miliardë Dollarë dëme dhe humbjet ekonomike mund të rriten në vijim.
Klan News